Pas emërimit të Hotit – Ky është numri zyrtar i zëvendësministrave në qeverinë Haradinaj

E publikuar: 22/02/2018 16:04
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Rexhep Hoti është emëruar së fundmi zëvendësministër në Ministrinë e Kulturës rinisë dhe Sportit, raporton Insajderi.

Zëdhënësja e Qeverisë së Kosovës, Donjeta Gashi, ka konfirmuar gjatë ditës së sotme se Hoti është emëruar në këtë post. Ajo po ashtu ka konfirmuar se Hoti do të jetë zëvendësministri i pestë në këtë ministri.

“Po, zotëri Rexhep Hoti është emëruar Zëvendësministër në MKRS. Numri i zëvendësministrave në këtë Ministri është pesë”, thuhet në përgjigjen e Gashit dërkuar Insajderit.

Me emërimin e Hotit në këtë postë, Qeveria Haradinaj ka rrumbullakuar 70 zëvendësministra që aktualisht ushtrojnë këtë detyrë. Lidhur me raportimet se ky numër është tejkaluar Gashi ka thënë sot se kjo gjë nuk është e vërtetë. Ka thënë se në rastet e fundit janë bërë zëvendësimet e zëvendësministrave.

“Numri i përgjithshëm i Zëvendësministrave në Qeverinë e Republikës së Kosovës është 70-të. Raportimet në medie për numra të tjerë nuk qëndrojnë. Ju kujtojmë që në rastet e fundit është bërë zëvendësimi i zëvendësministrave nga partitë të cilat ata u përkasin, për arsyet që këto parti i kanë”, thuhet në përgjigjen e Gashit.

Para dy dite në postin e zëvendësministrit është emëruar, Artan Berisha, në Ministrinë e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, pasi nga ky post u shkarkua Mustafë Myrtaj. I cili për këtë shkarkim ka akuzuar kryetarin e partisë, Veton Berisha./insajderi/