Papua Guinea e Re s’e ka tërhequr njohjen për Kosovën – Pacolli demanton Daçiqin

E publikuar: 05/07/2018 22:55
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës dhe zëvendëskryeministri, Behgjet Pacolli, ka demantuar homologun e tij serb, Ivica Daçiq, në deklarimet e këtij të fundit se Papua Guinea e Re ka tërhequr njohjen për Kosovën.

“Daçiq paska vendosur prapë që të vazhdojë shpifjet dhe falsifikimet karshi Kosovës. Pas falsifikimeve të mëhershme të cilat iu kthyen bumerang, ai paska prezantuar një dokument kushedi ku të përgatitur për gjoja ‘tërheqje të njohjeve’”, shkruan Pacolli në Facebook, njofton Klan Kosova.

“Republika e Kosovës nëpërmjet shërbimit të vet diplomatik mban kontakte të vazhdueshme me të gjitha shtetet e botës por edhe me PNG”, vazhdon reagimin Pacolli.

“Shpifjet e Daçiqit tanimë konsiderohen neveritëse, veçanërisht pas rastit të Liberisë, Guinesë Bissau, Ganës etj”.

“Në ditët në vijim nëpërmjet kanaleve diplomatike, do të konfirmohet çdo gjë. Republika e Kosovës fuqizimin dhe konsolidimin e vet si shtet e ka të pandalshëm deshi apo jo Beogradi”.