Pacolli kritikon bashkësinë ndërkombëtare që s’e ka mbajtur Serbinë përgjegjëse për krimet e kryera

E publikuar: 16/05/2019 15:26
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli, ka thënë se e keqja më e madhe është se kriminelët serbë që kanë kryer krime në Kosovë janë ende të lirë.

“Kriminelët monstruoz, ushtarë, paramilitar, civil serb, bënin aktet më çnjerëzore ndaj shqiptarëve të Kosovës. Ata nuk mjaftoheshin me shfrenimin shtazarak në kryerjen e akteve kriminale, por detyronin që aktet e tyre të dëshmoheshin nga familjarët më të afërt të viktimave”, ka shkruar ai në Facebook, transmeton Klan Kosova.

“Çmenduria e tyre shkonte deri aty që kriminelët siguroheshin që monstruoziteti i tyre të ruhej me pamje e zë. Duke dashur të na dehumanizojnë, këta kriminelë dëshmuan që janë monstrumë e monstruoz”.

Pacolli ka theksuar se s keqja më e madhe ndaj njerëzimit dhe botës perëndimore, është se këta kriminelë shetisin ende në liri.

“Kjo nuk do të ndodhte, sikur komuniteti ndërkombëtar të mbante shtetin serb përgjegjës për krimet në Kroaci, Bosnje e Hercegovinë e Kosovë”.