Pacolli kërkon dorëheqjen e Qeverisë

E publikuar: 21/03/2016 21:20
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryetari i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, është përfshirë në debatin e fundit për sistemin e shëndetësisë në Kosovë, duke ia lënë fajin Qeverisë së Kosovës e cila sipas tij duhet të japë dorëheqje.

Pacolli konsideron se “duhet të turpërohemi për gjendjen e spitaleve tona”. Sipas tij, nëpër spitalet e Kosovës dominon kaosi, papastërtia dhe ndotja.

Ai i ka bërë thirrje pozitës që të largohen e ti lënë vend atyre që sipas tij ia duan të mirën Kosovës.

“Kjo Qeveri duhet të lirojë vend sa më shpejt për shkak të mospunës, mosedukatës së tyre, Për kulturën e mospërgjegjësin tuaj, qeveri, po krijoni imazh të keq për të gjithë qytetarët e Kosovës për çfarë i bëj thirrje kësaj Qeverie të japë dorëheqjen e të lirojë vend për ata që dinë e duan të punojnë”, ka shkruar Pacolli në facebook.

Dorëheqjen e Qeverisë e ka kërkuar edhe deputeti i PDK-së, Nait Hasani, sipas të cilit kjo Qeveri ka dështuar në tërësi.

Pacolli mes tjerash ka theksuar zhgënjimin që kjo qeveri po i sjell të gjithë qytetarëve, pasi po e shkatërron vendin.

“Ju nuk mundeni më të zhgënjeni qytetarin e Kosovës, ecni, ju lutem, se fëmijët tanë do t’ju mallkojnë. Merrni plaçkat e largohuni krejtësisht, populli do të ndërtojë përspektivën e vet shumë më mirë pa ju”, thekson Pacolli. /Insajderi.com