Osmani: S’mund ta luftojnë korrupsionin regjisorët e Klanit Pronto

E publikuar: 17/09/2019 18:19
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kandidatja e LDK-së për kryeministre, Vjosa Osmani, ka thënë të martën në Suharekë se nuk mund ta luftojnë korrupsionin në Kosovë, ata që i ka quajtur regjisorë të Klanit Pronto.

“Izolimi nuk merr fund nga ata që dalin me parulla antikorrupsion e në fakt janë regjisorë të Prontos. LDK i ka dyert e hapura çdo kund në botën demokratike, sepse e kuptojnë drejt programin tonë për zhvillim”, ka thënë Osmani.

“Mundi dhe sakrifica nuk nderohet dhe nuk vlerësohet duke e vjedh shtetin. Duhet me i dhanë fund praktikave, njerëzve dhe qeverive, të cilët nuk bënë asgjë tjetër, pos që keqpërdorën votën dhe besimin e qytetarëve. Qytetarët e Kosovës na njohin mirë dhe na njohin gjatë. Na njohin qe tri dekada. Të gjithë janë të bindur se nuk mund të hapen dyert e Kosovës nëpër botë nga ata të cilët bota i ka izoluar. Nuk mundet rinia jonë të prosperojë derisa përfaqësohet nga liderë të cilëve ua ka mbyllë derën e gjithë bota demokratike”, ka thënë ajo, njofton LDK-ja.

Osmani ka shtuar se “ka ardhur koha që t’u jepet mundësi njerëzve që kanë program për zhvillim, që në qendër e ka rininë tonë, familjen dhe hapin perspektivë për qytetarët tanë, të cilët nuk do ta shohin shpëtimin tek ikja, por tek shteti i tyre”.

Gjatë të martës, Osmani ka vizituar bizneset në Suharekë duke thënë se LDK-ja e sheh sektorin privat si motor të zhvillimit ekonomik.

“Ne e shohim sektorin privat si motor të zhvillimit ekonomik, kurse shtetin e shohim vetëm si asistencë, e asnjëherë si aksionarë apo si mjet që u bën presion bizneseve. Gjatë qeverisjes së LDK-së, 2015-2017 janë ndërmarrë një varg masash që e kanë lehtësuar punën e këtyre bizneseve, por ne kemi plan konkret që të ndërmarrim edhe masa të tjera, që të krijojmë lehtësira të tjera”, ka thënë Osmani.