Opozita në Tiranë i quan antishqiptare veprimet e Ramës për “Mini-Shengenin”

E publikuar: 13/11/2019 19:19
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Akuza dhe kundërshtime të ashpra ka ngjallur në Shqipëri, krijimi i një “Mini-Shengeni” në Ballkan, ide kjo e përkrahur nga kryeministri Edi Rama.

Për opozitën shqiptare, ky angazhim i Ramës nënkupton largimin e Shqipërisë nga integrimi në Bashkimin Evropian dhe orientimin drejt lindjes, raporton KTV.

Nënkryetari i Partisë Demokratike, Edi Paloka, e quan antishqiptar kryeministrin Rama, duke e akuzuar atë se po bashkëpunon me Vuçiqin për krijimin e një Jugosllavie të re.

Madje, Paloka thotë se kryeministri i Shqipërisë është shndërruar në zëdhënës të Vuçiqit për ta përjashtuar dhe izoluar Kosovën.

Partia tjetër opozitare, Lëvizja Socialiste për Integrim, e veçon veprimin e Ramës si gabimin më të madh politik të ndonjë kryeministri që ka pasur Shqipëria.

Nënkryetari Petrit Vasili thotë se Rama, në vazhdimësi, është duke shfaqur dashuri dhe mirësjellje për presidentin serb, ndërsa agresivitet e sjellje nënçmuese ndaj Kosovës.

Nga ana tjetër, askush nga kabineti qeveritar i Edi Ramës, nuk ka pranuar të flasë për çështjen e “Mini-Schengenit”.

Zëvendëskryeministri Erjon Braçe ka thënë shkurt se nuk ka çfarë të deklarojë, ngase qëndrimin për këtë e ka dhënë kryeministri.

Pjesëmarrja e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, në Samitin e Ohrit në nismën rajonale me vendet e Ballkanit, duke përfshirë Serbinë, Maqedoninë dhe vende të tjera pa pjesëmarrjen e Kosovës, ka vënë në pah edhe një herë përplasjet dhe moskoordinimin e thellë mes liderëve të Kosovës dhe Shqipërisë. Njohës të zhvillimeve politike, e cilësojnë këtë si skandal politik të kryeministrit Rama dhe si hap të tij, për të fituar pikë politike politike karshi opinionit ndërkombëtar.

Afrim Krasniqi nga Instituti për Studime Politike, thotë se ideja e “Mini-Schengenit” nuk guxon assesi të zëvendësohet me procesin e Berlinit.

Sipas tij, ky plan i Ramës, Vuçiqit dhe Zaevit do të dështojë pa Kosovën.

Kosova e ka kundërshtuar fuqishëm këtë iniciativë. Presidenti Hashim Thaçi ka thënë se Kosova do të marrë pjesë në iniciativa të tilla, vetëm pasi Serbia ta njohë pavarësinë e Kosovës.

Takimi i radhës për këtë nismë është paralajmëruar më 21dhjetor të këtij viti.