Opozita dhe pozita dënojnë abuzimin e 16-vjeçares nga Drenasi

E publikuar: 09/02/2019 08:17
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Deputetët e Kosovës gjatë ditës së djeshme kanë mbajtur debat parlamentar në lidhje me rastin e ngacmimit seksual, të përdhunimit seksual dhe të abortit të paligjshëm ndaj një të miture 16-vjeçare në Drenas. Deputetët e pozitës dhe të opozitës kanë shprehur keqardhje për të miturën, e cila u dhunua fillimisht nga arsimtari i saj e pastaj edhe nga një polic hetues. Me këtë rast, deputetja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, ka fajësuar institucionet e drejtësisë në vend. Sipas saj, institucionet në vend kanë dështuar në lidhje me rastin e të miturës.

“Në institucionet e Kosovës janë plot abuzues. Në institucione ka njerëz pa pikë ndjeshmërie për dinjitetin e vajzave dhe të grave. Më tragjikja e kësaj historie është se kush e di se sa raste ka të tilla, por që shumicën e tyre nuk do t’i kuptojmë asnjëherë, sepse nuk do të flasin asnjëherë. Kjo ndodh për shkak se kur shkon në Polici të raportosh një dhunim dhunohesh seksualisht nga polici. Rasti i abuzimit të 16-vjeçares është dështimi i institucioneve të drejtësisë dhe një varg institucionesh tjera si ajo e arsimit, e Policisë dhe e shëndetësisë”, ka thënë ajo.

Sipas Haxhiut, Qeveria nuk është duke bërë asgjë për t’i mbrojtur gratë e vajzat nga raste të tilla. “Le të na tregojnë ministrat se çfarë kanë bërë për t’i mbrojtur gratë? Asnjë gjë nuk kanë bërë ata. Kjo është Qeveria me ministrat që nuk bënë asgjë në këtë drejtim. Institucionet e drejtësisë do të duhej të jenë vigjilente”, ka thënë ajo.

Në anën tjetër deputetja e Alternativës, Mimoza Kusari-Lila, ka kërkuar që të gjithë deputetët nga opozita dhe nga pozita të bëhen bashkë në lidhje me rastin e 16-vjeçares së dhunuar në Drenas. Ajo po ashtu ka kërkuar nga ministri i Punëve të Brendshme që t’i shkarkojë të gjithë komanduesit në Stacionin Policor në Drenas. “Sot për këtë temë nuk duhet të jemi opozitë dhe pozitë. Sot duhet të jemi një nëse e kuptojmë që duhet të fillojmë të diskutojmë edhe për normat shoqërore hapur. Në vendet si Kosova abuzimi duket që shprehet në mënyrën edhe më të egër. Ky rast i 18-vjeçares nga Drenasi tregon edhe mekanizmin mbështetës nga familja. Nëna e saj nuk ka pasur mekanizëm në ndihmë. I them ministrit të Punëve të Brendshme që duhet të shkarkohet i gjithë zinxhiri komandues i Stacionit të Drenasit”, ka thënë ajo.