Ohajo, zgjedhje speciale të rëndësishme

E publikuar: 07/08/2018 19:09
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Po ndiqen me vëmendje zgjedhjet speciale për një delegat nga Ohajo, ndërkohë që në katër shtete të tjera të martën zhvillohen votimet partiake për të zgjedhur kandidatët për zgjedhjet e nëntorit.

Zgjedhjet speciale janë të vetmet deri në nëntor ku një republikan e një demokrat janë vënë përballë njëri-tjetrit në garë.

Demokrati Danny O’Conner dhe republikani Troy Balderson janë mbërthyer në garë të fortë që po shërben si një parathënie e zgjedhjeve të nëntorit.

Republikani Balderson, besnik i Presidentit Trump, është në garë të vështirë me 31-vjeçarin O’Conner, një demokrat që ka siguruar popullaritet ditët e fundit në një zonë elektorale ku kanë fituar gjithmonë republikanët që në 1983. Në zgjedhjet presidenciale të 2016 Presidenti Trump fitoi në këtë zonë.

Një anketë e javës së kaluar nga Universiteti Monmouth tregoi se gara është thuajse e barabartë, ndërkohë që një muaj më parë Balderson gëzonte mbi 10% epërsi.

Presidenti Trump bëri fushatë të shtunën në Ohajo. Ndërsa të martën postoi në Twitter se Balderson do të ishte “një kongresmen i shkëlqyer”.

Edhe figura të tjera republikane, përfshirë Nënpresidentin Mike Pence, kanë bërë fushatë në favor të kandidatit Balderson.

Ulja e taksave, një arritje e madhe e administratës, ka qenë temë qendrore në garë. Demokrati O’Conner e ka komentuar këtë politikë si dhuratë për të pasurit që kërcënon programet për pensione dhe mbështetje shëndetësore për të moshuarit. Balderson nuk është përqëndruar shumë në këtë temë javët e fundit, por ka sulmuar demokraten më të lartë në Dhomën e Përfaqësuesve, Nancy Pelosi.

Fituesi i zgjedhjeve të së martës në Ohajo do të zërë vendin e deputetit Pat Tiberi, i cili dha dorëheqjen për të filluar punë për një grup biznesi në Ohajo.

Ndërkaq, në katër shtete të tjera zhvillohen zgjedhjet partiake për të identifikuar kandidatët që do të konkurrojnë në nëntor. Demokratëve u duhet të sigurojnë 23 vende të tjera në Dhomën e Përfaqësuesve dhe dy vende të tjera në Senat që të marrin kontrollin e të dyja dhomave.

Në Kansas janë në garë partiake dy republikanë: sekretari i shtetit Kris Kobach dhe guvernatori aktual Jeff Colyer.

Presidenti Trump ka mbështetur zotin Kobach, një politikan i njohur konservator që bën fushatë për ligje më të rrepta mbi imigracionin dhe forcimin e ligjeve për votimin.

Zgjedhje partiake zhvillohen edhe në shtetet Uashington, Mizuri dhe Miçigan.

Gara për guvernatorin e Miçiganit ka vënë përballë drejtorin e shërbimeve të shëndetësisë Abdul el-Sayed, i cili do të bëhej i guvernatori i parë mysliman në vend, nëse fiton përballë kandidates më të moderuar, kryetares së senatit të shtetit, Gretchen Whitmer.

Republikanët në Miçigan shpresojnë se do të kenë të njëjtin sukses si Donald Trumpi në zgjedhjet e 2016. Dy aleatë të presidentit kreysojnë garën partiake mes republikanëve për guvernator dhe senator, Prokurori i Përgjithshëm i shtetit, Bill Schuette dhe veterani i luftës në Irak, John James.