Obama kritikon ashpër planin e Trumpit për shëndetësi

E publikuar: 23/06/2017 15:36
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Barack Obama kritikoi ashpër planin për shëndetësinë që u publikua të enjten nga republikanët në Senat, duke e cilësuar atë si një transfert masive parash tek të pasurit në kurriz të amerikanëve të varfër dhe te shtresës së mesme.

Në një postim në Facebook, pasi propozimi u bë publik, ish-presidenti amerikan bëri disa nga komentet më të forta qëkur la detyrën për të mbrojtur atë që cilësohet si arritja e tij më e madhe në dy mandate.

“Projektligji i Senatit nuk është një ligj për shëndetësinë. Fare thjesht, nëse ka një mundësi që të sëmuresh, plakesh apo krijosh një familje, ky ligj të dëmton”, shkruan Obama, duke theksuar se propozimi parashikon ulje taksash për fituesit e mëdhenj si kompanitë e ilaçeve dhe sigurimeve, ndërsa heq sigurimin për sëmundje të mëparshme, shtatzëninë dhe shëndetin mendor.

Obama theksoi se ndryshimet estetike nuk e eliminojnë dot keqdashjen e ligjit, ndërsa i kërkoi republikanët që të mos nxiten nga përmbushja e një premtimi të fushatës, por të mendojnë për miliona amerikanë që do të humbasin sigurimet shëndetësore. Sipas mediave vendase, zyra e buxhetit të senatit pritet të shqyrtojë javën e ardhshme këtë ligj, i cili është miratuar në Dhomën e Ulët dhe do të lërë 23 milion amerikanë pa sigurime shëndetësore gjatë 10 viteve të ardhshme.