Një vit me taksë – Ngriten çmimet e konsumit

E publikuar: 22/11/2019 12:11
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Është bërë një vit qëkur Kosova zgjodhi ekonominë për t’iu kundërpërgjigjur politikës agresive të jashtme të Serbisë.

Një ditë pasi vendi dështoi të anëtarësohej në Interpol për shkak të lobimit serb, Qeveria e Kosovës, vendosi taksë 100 për qind për produktet me origjinë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.

E për periudhën njëvjeçare, ndikimi i kësaj mase ishte sa politik po aq edhe ekonomik.

Efekti i parë ishte ndalimi pothuasje i tërësishëm i importeve nga Serbia, më pas u raportua edhe për rritje të prodhimit vendor.

Por heshturazi janë ngritur edhe çmimet në vend.

Nga të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës shihet se ka pasur inflacion gjatë 11 muajve prej kur është vendosur taksa 100 për qind, pasi që për muajin nëntor të këtij viti ende nuk ka të dhëna.

Nga tabela e Indeksit të Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit, vërehet ngritja e menjëhershme prej muajit tetor 2018 (pa taksë) dhe muajit pauses (me taksë) e tutje.

Derisa në vitin 2018 mesatarja e inflacionit ka qenë 1.1 përqind, sivjet kjo vlerë është më e lartë. 2.85 përqind është mesatarja e inflacionit në 11 muaj sa taksa ka qenë në zbatim.

 

                  

Kjo ngrtije e çmimeve ka ardhur si pasojë e rënies së importit nga Serbia por edhe nga Bosnja dhe Hercegovina.

Nga Dogana e Kosovës për klankosova.tv kanë konfirmuar vlerat e sakta të importit nga 21 nëntori i 2018-ës.

“Deri tani kemi pasur import nga Serbia dhe Bosnja rreth 6 milionë euro pra rreth 3.3 përqind nga Serbia dhe 2.7 përqind nga Bosnja”, ka thënë Adriatik Stavileci nga ky institucion.

“Vitin e kaluar kemi pasur 365 milionë import nga Serbia. Rënia në krahasim me vitin e kaluar është 99 përqind. Nga Bosnja kemi pasur import të mallrave prej 65 milionë dhe rënia është 96 përqind”.

Vendimi i Qeverisë së drejtuar nga Ramush Haradinaj i marrë me 21 nëntor ka funksionuar për prodhuesin nga Prizreni “Liri”.

Nga kjo kompani kanë thënë për klankosova.tv se kanë pasur një rritje prej 55 përqind të prodhimit.

“Prodhimi në total është rritur për 55 përqind ndërsa kemi shtuar mbi 50 punëtorë”, ka thënë Arben Tërshnjaku nga “Liri”.

Ai ka theksuar se produktet e tyre i kanë shitur me cmimin e njëjtë, sikur në kohën kur s’ka pasur tarifë.

Mëgjithëse çmimet sipas tij nuk kanë ndryshuar, profiti është rritur për shkak të shitjes së madhe që kanë pasur.

Për njohësin e çështjeve të ekonomisë, Jakup Bellaqa, efekti i taksës 100 përqind vërehet sepse për dallim prej viteve të kaluara kur janë importuar mallra në vlerë mbi 400 milionë euro, vitin e fundit kjo nuk ka ndodhur, çka sipas tij edhe paraja e qytetarëve të Kosovës nuk ka shkuar në drejtim të Serbisë.

“Ka pasur inflacion vjetor për këtë periudhë diku rreth 2.6 përqind, por me gjithë këtë efekti pozitiv i taksës është se tregu është orientuar kah Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut”, ka thënë Bellaqa shkurtimisht.

Bellaqa ka deklaruar poashtu se tregu duke mos qenë i hapur si më parë ka ndikuar në ngritjen e cmimeve.

“Kërkesa ka qenë më e madhe se oferta, për këtë ka pasur inflacion. Duhet të krijohet pika ekujlibruese mesë kerkesës dhe ofertesë qe mos te ketë mungesë të mallrave, pra duhet një marrëveshje e re ndërshtetërore që tregu i të mirave ekonomike dhe shërbimeve t’i përmbush kërkesat dhe që mos të ketë mungesë te mallrave. Kuptohet ku ka mungesë të mallrave ka edhe ngritje te çmimeve dhe kjo ndikon direkt në shporten ushqimore të konsumatorit sepse ekonomia është ende e mbyllur”.

Megjithë efektet e brendshme ekonomike, taksa 100 përqind i ka shkaktuar Serbisë humbje prej rreth 400 milionë euro.

Këtë e ka konfirmuar Ministri i Tregtisë së Serbisë, Rasim Ljajiq, në njëvjetorin e vëniës së tarifës nga Prishtina zyrtare për mallrat serbe.