Nisma i bashkohet veprimit politik të AAK-së, Vetëvendosje mbetet e vetme

E publikuar: 14/03/2016 16:30
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Se edhe Nisma do të veprojë sikur AAK, e ka konfirmuar për lajmi.net, deputeti i kësaj partie, Zafir Berisha. Ai tha se në këto momente janë duke biseduar për këtë çështje ndërmjet subjekteve opozitare, por sipas tij, deputetët e Nismës në secilin variantë nuk do të jenë më pjesë e Kuvendit.
“Nuk ja vlen me u rikthye në një parlament që i shërben një qeverise antikushtetuese. Nuk ja vlen me i shërbye një bande mafioze të Hashim Thaçit dhe Isa Mustafës”, tha për lajmi.net deputeti Berisha.
Ndërsa qëndrim krejtësisht tjetër kanë në Vetëvendosje.
“Sa i përket pjesëmarrjes së deputetëve të Lëvizjes VETËVENDOSJE! në seancat plenare të Kuvendit, ne do ta bëjmë vlerësimin nga seanca në seancë. Sepse, nuk përjashtohet mundësia që koalicioni qeverisës të përpiqet që të kontrabandojë në Kuvend gjëra të këqija si psh. statutin e ‘Zajednicës’, likuidimin e Trepçës e të ngjashme, me ç’rast ne sigurisht se duhet të jemi aty dhe do të jemi aty”, tha për lajmi.net zyrtari për informim ne Lëvizjen Vetëvendosje Adonis Tahiri.
Gjithashtu Lëvizja Vetëvendosje njofton se janë duke u bërë gati për protestën e radhës.
“Opozita e bashkuar është duke u përqendruar maksimalisht në përgatitjet për tubimin në sallën ‘1 Tetori’ në Prishtinë që mbahet të shtunën më 19 mars 2016 në ora 14:00, si dhe për protestën e radhës që mbahet në Prishtinë më 26 mars 2016”, ka thënë Tahiri.