Nga e shtuna deri më sot, mbi 25 mijë qytetarë erdhën në Kosovë përmes Aeroportit të Prishtinës

E publikuar: 24/12/2020 17:29
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Përkundër masave dhe situatës me pandeminë COVID-19 numri i bashkatdhetarëve që ia kanë mësyrë Kosovës është mjaft i madh.

Vetëm sot në Aeroportin e Prishtinës “Adem Jashari” pritet të realizohen 57 fluturime vajte-ardhje. Vetëm nga vikendi i kaluar e deri dje në Kosovë kanë arritur mbi 25 mijë udhëtarë.
Zyrtari për informim në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, Bujar Gashi, ka thënë se deri më 27 dhjetor pritet të realizohen 280 fluturime që kryesisht janë bashkatdhetarë që vijnë për pushime nga Zvicra dhe Gjermania.

“Që nga vikendi që lamë pas vërehet një rritje e numrit të udhëtarëve dhe po ashtu edhe i fluturimeve. Nga e shtuna deri ditën e mërkurë përmes Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës kanë arritur mbi 25 mijë udhëtarë, ndërsa pritet që nga data 19 deri më datën 27 të këtij muaji të realizohen 280 fluturime. Numri më i madh i fluturimeve të udhëtarëve është nga Zvicra, kryesisht nga Bazeli, Cyrihu dhe Gjeneva dhe më pas vijon Gjermania. Fundjavën që lamë pas i kishim mbi 150 fluturime numri më i madh i tyre është nga shteti i Zvicrës. Sot gjatë ditës pritet të realizohen rreth 57 fluturime vajtje-ardhje ku prapë Zvicra mbetet një nga vendet me numrin më të madh të qytetarëve dhe fluturimeve”, tha ai për KosovaPress.

Gashi ka theksuar se të gjitha masat anti- COVID-19 të marra nga institucionet përgjegjëse në Kosovë po respektohen me përpikëri.

“Secili qytetar që arrin në Kosovë duhet ta paraqesë testin PCR negativ, përndryshe i kërkohet që udhëtari në fjalë të vetizolohet për shtatë ditë”, tha ai.