Në Presidencë thonë se Ligji për Paga mund të rikthehet sërish në Kuvend

E publikuar: 08/02/2019 10:13
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, pritet t’ia kthej përsëri Kuvendit Ligjin për Paga.

Këtë vendim, presidenti Thaçi pritet ta marrë së shpejti, pas pranimit zyrtarisht të këtij ligji nga ana e Kuvendit të Kosovës.

KosovaPress raporton se Zyra e Presidentit ka pranuar shumë ankesa dhe shqetësime nga sindikata e shoqata të ndryshme, të cilat vlerësojnë se me këtë ligj u është bërë e padrejtë.

Mundësinë e rikthimit në Kuvendin e Kosovës të Ligjit për Pagat e ka konfirmuar përmes telefonit edhe vetë këshilltari politik i presidentit Thaçi, Ardian Arifaj.

“Për shkak të ankesave të pranuara, kërkesave të sindikatave dhe të shoqatave profesionale, të OJQ-ve, por edhe të shoqatave të veteranëve, presidenti po e shqyrton seriozisht mundësinë që të mos e ratifikojë Ligjin për Pagat dhe t’ia kthej Kuvendit për rishqyrtim”, ka thënë Arifaj.

Përveç tjerësh, kundër projektligjit të ri për pagat kanë reaguar edhe Sindikata e Shërbimit Civil të Kosovës, Sindikata e Administratës Publike të Kosovës, “Operator Sistemi, Transmisioni dhe Tregu Sh.A.” – KOSTT, Sindikata e Pavarur e Judikaturës së Kosovës, Agjencia e Shërbimeve të Navigacionit Ajror dhe të tjera.