Ndihmësi i Trumpit “në kontakt të vazhdueshëm me ish-spiunin rus”

E publikuar: 29/03/2018 08:14
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Një zyrtar i lartë i fushatës së presidentit amerikan, Donald Trump, ka qenë në kontakt të vazhdueshëm, gjatë javëve të fundit të garës presidenciale më 2016, me një bashkëpunëtor biznesi, i cili ka qenë ish-zyrtar i inteligjencës ruse.

Lidhja midis ish-udhëheqësit të fushatës së Trumpit, Rick Gates, dhe ish-zyrtarit të inteligjencës ruse u zbulua në dokumentet e gjykatës, të paraqitura nga këshilltari i posaçëm, Robert Mueller. Ky i fundit e identifikon rusin vetëm si “personi A” dhe thotë se ai ka punuar për fushatën e Trumpit.

Gazeta New York Times, duke cituar, siç thotë, një person të afërt me çështjen, e identifikoi “personin A” si Konstantin Kilimnik, bashkëpunëtor i ish-udhëheqësit të fushatës së Trumpit, Paul Manafort, edhe gjatë fushatës zgjedhore, edhe gjatë kohës kur Manafort ka punuar për Qeverinë e presidentit pro-rus të Ukrainës, Viktor Yanukovych.

Dokumentet e gjykatës thonë se Gates ka pranuar thirrje të shpeshta telefonike nga “personi A” në shtator dhe tetor të 2016-ës, disa javë përpara zgjedhjeve të nëntorit.

Sipas dokumenteve, FBI beson se “personi A” ka pasur lidhje aktive me shërbimet e spiunimit në Rusi në atë kohë.

Manafort e ka mohuar se Kilimnik ka pasur lidhje me inteligjencën ruse. Por, dokumentet e gjykatës thonë se Gates i ka thënë një bashkëpunëtori se “personi A” ka qenë oficer i inteligjencës ushtarake ruse.

Mueller ka akuzuar edhe Gatesin, edhe Manafortin për krime të dyshuara, por që nuk lidhen me kontaktet e tyre me ish-operativin e inteligjencës ruse.

Gates, muajin e kaluar, ka pranuar se ka gënjyer FBI-në dhe se ka bërë konspiracion për të mashtruar Shtetet e Bashkuara. Ai tani është duke bashkëpunuar me ekipin e Muellerit, i cili po heton lidhjet midis Rusisë dhe fushatës së Trumpit.

Paul Manafort

Paul Manafort

Kilimnik, vendndodhja e të cilit aktualisht nuk dihet, ka mohuar se ka pasur lidhje me inteligjencën ruse.

The Washington Post, Associated Press dhe media të tjera kanë raportuar vitin e kaluar se Kilimnik, gjatë fushatës presidenciale në SHBA, ka vepruar si ndërmjetës midis Manafortit dhe manjatit rus të aluminit, Oleg Deripaska, aleat i afërt i presidentit rus, Vladimir Putin.

Mediat kanë raportuar se Manafort i ka ofruar Deripaskas informacione në lidhje me përparimin e fushatës së Trumpit.

Manafort nuk e ka pranuar fajësinë për akuzat, disa prej të cilave lidhen me punën e tij për qeverinë e Yanukovychit, i cili është përmbysur nga protestat dhe ka ikur në Rusi në vitin 2014.

Përgatiti: Valona Tela