Ndeshja miqësore ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës është pranë dështimit

E publikuar: 08/05/2018 21:50
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kohë më parë është përfolur shumë rreth një miqësore mes kombëtares së Shqipërisë dhe përfaqësueses së Kosovës, e cila do të zhvillohet në Zvicër, por si duket kjo ndeshje po shkon drejt dështimit.

FSHF dhe FFK kishin arritur marrëveshje për zhvillimin e ndeshjes dhe kishte mbetur që të sigurohej leja nga Federata e Futbollit e Zvicrës. Por, është pikërisht kjo federatë, e cila nuk ka lejuar që kjo ndeshje të zhvillohet.

Këtë e ka pranuar edhe kryetari i FFK-së, Fadil Vokrri, i cili ka thënë për KosovaPress se pikërisht kjo federatë nuk po e lejon zhvillimin e kësaj ndeshjeje.

“Po afër anulimit është, sepse Federata e Futbollit Zviceran nuk e ka dhënë lejen për zhvillimin e një ndeshjeje miqësore, kinse për shkaqe sigurie, juridike e civile siç është referuar Federata Zvicerane e Futbollit, edhe pse ne mendojmë se kjo nuk është një arsye dhe arsyet i dinë ata më mirë, sepse mendoj që kjo është, i tejkalon suazat për të cilat biseduam në rastin tjetër dhe mendoj që Federata Zvicerane nuk është treguar korrekte në vlerësimin e kësaj situate për zhvillimin e një ndeshje me Shqipërinë, sepse të gjitha në mënyrë hipotetike them të gjitha ndeshjet kushedi kundër çfarë do kundërshtari të kishim luajtur, kjo do të ishte një festë me Shqipërinë dhe mendoj që nuk ka asnjë arsye që për shkak sigurie apo për shkaqe të referuara nga ana e Federatës së Futbollit të Zvicrës mendoj që nuk është në rregull.

“Ne do të bisedojmë me ta edhe gjatë takimeve që do t’i kemi gjatë takimeve në kongrese të ndryshme. Unë kam biseduar edhe me kryetarin e Federatës së Zvicrës dhe na ka thënë arsyet e njëjta, të cilat i ceka mirëpo ne në ato arsye nuk i besojmë shumë”, ka deklaruar Vokrri.

Vokrri e mohoi zhvillimin e kësaj ndeshje në ndonjë vend tjetër në Kosovë apo Shqipëri, pasi që Shqipëria do të luajë edhe një ndeshje me Ukrainën në Zvicër dhe kjo e pamundëson zhvillimin e miqësores në ndonjë vend tjetër. Kryetari i FFK-së pohoi se janë duke u munduar për të organizuar një miqësore me ndonjë kombëtare tjetër, të cilën nuk e bëri të ditur, dhe me të gjitha gjasat kjo ndeshje do të zhvillohet në stadiumin “Adem Jashari” në Mitrovicë nëse gjithçka shkon sipas planit.

Siç transmeton SuperSport, lajmi është konfirmuar edhe nga kreu i FSHF-së, Armand Duka: “Po është e vërtetë ajo që ka deklaruar presidenti Vokrri dhe ne jemi duke kërkuar mundësi të tjera për të shfrytëzuar këtë periudhë sa më mirë për ekipin dhe trajnerin”.

Kujtojmë se Kosova do të marrë pjesë në Ligën e Kombeve e cila do të fillojë nga shtatori i këtij viti, dhe ku pritet që ndeshjet si vendas t’i zhvillojë në stadiumin e rinovuar të Prishtinës.