Ndalohet i mituri për substanca narkotike

E publikuar: 10/11/2018 13:58
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti për të mitur, ka ndaluar të miturin A.E., në kohëzgjatje prej 24 orësh.

Ekziston dyshimi i bazuar, se gjatë ditës së djeshme, në një shkollë të mesme në komunën e Vitisë, tek i mituri A.E., gjatë kontrollimit nga ana e policisë, janë gjetur 7.7 gram substancë narkotike, e llojit ‘’Marihuanë’’, të cilën i njëjti e kishte siguruar në mënyrë të paautorizuar.

Prokuroria menjëherë pasi është njoftuar me rastin, ndaj të miturit ka nxjerrë aktvendim mbi ndalim, për shkak të dyshimit se ka kryer veprën penale ‘’Posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge’’ nga neni 275 paragrafi 1 lidhur me nenin 281 paragrafi 1 nën paragrafi 1.7 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Po ashtu, prokuroria ka ushtruar kërkesën për caktimin e paraburgimit, në Gjykatën kompetente në Gjilan, duke pasur parasysh faktin që i njëjti ka poseduar substancë narkotike në objekt të shkollës, si dhe ekziston mundësia e rrezikut të ikjes, pasi që ndaj tij udhëhiqet procedurë penale edhe për vepra tjera penale.