Ndalesa për vetura u shkakton probleme me furnizim barnatoreve

E publikuar: 31/01/2018 11:58
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Në qytetin e Prishtinës ka nisur të zbatohet vendimi, i cili parasheh një varg masash nga Komuna e Prishtinës për uljen e nivelit të ndotjes së ajrit. Është ndaluar qarkullimi i të gjitha automjeteve brenda kryeqytetit nga ora 6 deri në orën 22, përveç atyre të transportit publik, automjeteve emergjente, të policisë, të misioneve diplomatike, të FSK’së, EULEX-it, inspeksionit dhe taksive të licencuara. Por sherrin kësaj ndalese të komunës po ia shohin barnatoret private brenda qendrës së Prishtinës. Ato kanë mbetur pa barna si dhe numri i pacientëve që po kërkojnë ilaçe në to po del të jetë mjaftë i madh. Shqetësimet i ka shfaqur shoqata Farmaceutike e Kosovës si dhe zyrtarët e barnatoreve në Prishtinë.
Distributorët Farmaceutik nuk po lejohen që të hyjnë në qendër të Prishtinës për të bërë furnizimin me ilaçe për barnatoret. Janë më shumë se 20 farmaci private që mëngjesin e sotëm kanë mbetur pa barna në qendër të Prishtinës. Të gjitha këto kanë bërë ankesa në Shoqatën e Distributorëve Farmaceutik në Kosovë.

Kërkesat më të mëdha për furnizim me ilaçe nga ana e pacientëve po janë për antibiotik, ampula kundër gripit si dhe ndotjes së ajrit. Shumica e pacientëve me sëmundje respiratorë nuk po i gjejnë barnat adekuate në barnatoret që gjenden në qendër të Prishtinës.

Zyrtarë të barnatoreve i kanë thënë të mërkurën Expressit se sot nuk kanë mundur që ta bëjnë furznizimin e me barna, kjo pas ndalesës që komuna e ka bërë për qarkullim së fundmi.

“Ne e bëjmë porosinë për barna çdo ditë për të nesërmen. Sot kemi mungesa të mëdha. Pacientët po i presin barnat:, ka thënë përgjegjësi i barnatores “SioriMedRina”, në Prishtinë.

Gjendje e njëjtë është edhe në barnatoren ‘Valerina’, as aty s’po ka barna të mjaftueshme. Zyrtarët po ankohen për mos-furnizim.

“Kemi jashtëzakonisht shumë kërkesa për barna nga pacientët. Po kërkohen barna për grip, për ajër të ndortun, për sëmundjet respiratorë”, kanë thënë udhëheqës të barnatores.

E për këtë punë ankesa po kanë edhe zyrtarët e Shoqatës së Distributorëve Farmaceutik në Kosovë. Kryetari i kësaj shoqate, Milaim Avdullahu, i ka thënë të mërkurën Expressit, se sot asnjë distributor farmaceutik nuk ka mundur që të futet në qendër të Prishtinës për shpërndarjen e ilaçeve nëpër barnatore.

“Ne nuk jemi të paparalajmëruar rreth masës së qarkullimit të automjeteve nëpër qytet. Në këtë rast autoritetet komunale është dashur që të na lajmërojnë një ditë ose dy ditë përpara. Barnatoret që janë në qendër të Prishtinës nuk janë duke u furnizu me barna në aspektin rentabil, ngase ato non-stop marrin mall. Tash ato kanë mbetur pa produkte medicinale, sidomos ato për sëmundjet respiratore”, ka thënë Avdullahu për Express.
Ai ka kërkuar nga komuna e Prishtinës që t’ia mundësojë atyre shpërndarjen e barnave në qendër të Prishtinës.

“Komuna e Prishtinës nuk na ka fut neve si furnizues të barnave në atë listën që mundemi me pas qasje në Prishtinë. Por tash deri pas orës 22:00 të mbrëmjes, por në atë kohë disa barnatore mbyllen, dhe ne e kemi të ndaluar qasjen nëpër barnatore me i furnizua me barna”.

Ai tregon se cilat janë kërkesat për barna nga ana e barnatoreve.

“Sot kemi provu me i qu barnat nëpër barnatore, por policia nuk po na lejon. Mungojnë barnat për frymëmarrje, sëmundje respiratore, si amisillin nuk po gjenden në barnatore, për epideminë e gripit, anrtibiotik, për temperaturë, për grip”, ka thënë tutje Avdullahu
.
Lidhur me këtë çështje, Express, ka provuar që të marrë një përgjigje edhe nga ana e zyrtarëve të komunës së Prishtinës, mirëpo, të njëjtit nuk i janë përgjigjur thirrjeve. E këto veprime Komuna e Prishtinës ka ndërmarrë këto masa pas të dhënave të Ambasadës Amerikane në Kosovë, të cilat kanë treguar se vlerat e PM 2.5 janë disa herë jashtë normales./GazetaExpress/