Mustafa thotë se “Studimi” i bashkëmendimtarëve të Kurtit është manipulim

E publikuar: 05/12/2020 19:00
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, e ka konsideruar si manipulim një studim të disa autorëve evropianë, të porositur për nevojat e Komitetit të Politikës së Jashtme të Parlamentit Evropian, mbi rolin e lajmeve të rreme në Ballkanin Perëndimor, e ku thuhet se fenomeni i dezinformimit në Kosovë ka pasur implikime të drejtpërdrejta politike që shkaktuan edhe rënien e qeverisë së Albin Kurtit

Mustata ka thënë se LDK-ja nuk mund të duronte nëpërkëmbjen e saj nga një parti tjetër dhe taman puna të rrinte duke e soditur Vetëvendosjen teksa po shkarkonte ministra të LDK-së, duke e shkelur marrëveshjen dhe po rrezikonte partneritetin e Kosovës me SHBA-të.

Mustafa ka shkruar në Facebook se disa bashkëmendimtarë të majtë evropianë të tashmë forcës kryesore politike të së majtës në Kosovë (Lëvizjes Vetëvendosje të Albin Kurtit), në një “studim” që paskan bërë për efektin e lajmeve të rreme në politikëbërje, përfshirë edhe Kosovën, më paska “akuzuar” si prodhues të lajmeve të rreme me qëllim rrëzimin e qeverisë së koalicionit ndërmjet Vetëvendosjes dhe LDK-së.

Sipas tij, meqë ky “studim” qenka bërë për nevojat e Komitetit për Politikë të Jashtme të Parlamentit Evropian, si kryetar i LDK-së, do t’u drejtohem partive simotra të LDK-së në EPP (Partitë Popullore Evropiane) me sqarimet e nevojshme për ta hedhur poshtë këtë “studim” tendencioz dhe të motivuar ideologjikisht ndaj LDK-së.

“E vërteta e bashkëqeverisjes mes LDK-së dhe Vetëvendosjes është e qartë dhe e pastër. LDK-ja i dha shans Vetëvendosjes për të punuar bashkërisht për të mirën e Kosovës. Vetëvendosje, përveç që tentoi ta keqpërdorte partneritetin dhe kontruktivitetin e LDK-së, duke u kthyer në shtratin e saj ideologjik dhe gjenezën izolacioniste, filloi ta rrezikonte partneritetin e Kosovës me aleatët e saj kryesorë, para se gjithash me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. LDK-ja nuk mund të duronte nëpërkëmbjen e saj nga një parti tjetër dhe taman puna të rrinte duke e soditur Vetëvendosjen teksa po shkarkonte ministra të LDK-së duke e shkelur marrëveshjen dhe po rrezikonte partneritetin e Kosovës me SHBA-të ! Prandaj, LDK-ja reagoi. Dhe do të reagoj ndaj kujtdo në Kosovë që e quan veten aq të rëndësishëm e të fortë sa të shpërfillë thirrjet telefonike nga Shtëpia e Bardhë e Departamenti Amerikan i Shtetit. Që organizon fushata denigruese ndaj zyrtarëve amerikanë dhe Shtëpinë e Bardhë e portretizon si një vend ku copëtohet Kosova”, ka shkruar ai, duke shtuar se LDK-ja, si partia e parë politike në Kosovë dhe si trasuesja e orientimit pro-perëndimor të Kosovës, e ka obligim të kujdeset për të mos lejuar asnjëherë tendencat për shmangie nga ky orientim sepse, partneriteti me SHBA-të dhe demokracinë perëndimore, është orientim natyror dhe sepse është rruga e vetme për Kosovën.

“Autorët e “studimit”, shpresoj shumë se do të ballafaqohen me mbështetësit e Kosovës në Parlamentin Evropian dhe “studimi” i tyre do të përfundoj si një përpjekje e dëshpëruar për manipulimin e së vërtetës”, ka shkruar ai.

Përndryshe, një studim mbi rolin e lajmeve të rreme në Ballkanin Perëndimor, i prezantuar në Parlamentin Evropian (PE) thotë se fenomeni i dezinformimit në Kosovë ka pasur implikime të drejtpërdrejta politike që shkaktuan edhe rënien e qeverisë së Albin Kurtit.

“Vetë koalicioni ishte jetëshkurtër dhe u rrezua nga një operacioni dezinformues amerikan”, thuhet në studimin e publikuar, i cili u bë nga disa autorë evropianë, të porositur për nevojat e Komitetit të Politikës së Jashtme të PE (AFET).

Ky studim tregon për trendet dhe modelet kryesore të dezinformatave dhe luftën kundër dezinformatave në gjithë rajonin në periudhën nga viti 2018 deri më 2020.