Mustafa thotë se BE-ja është e shqetësuar me gjendjen në Kosovë

E publikuar: 23/11/2015 17:12
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Qeveria e Republikës së Kosovës, në mbledhjen e sotme ka miratuar dy projektligje dhe ka marrë disa vendime tjera nga përgjegjësitë e saj kushtetuese dhe ligjore.

Sipas njoftimit të Qeverisë, Kabineti gjatë mbledhjes është njoftuar edhe me ecurinë e realizimit të ndërtimit të Termocentralit “Kosova e Re”.

Kryeministri Isa Mustafa ka njoftuar kabinetin qeveritar edhe për vizitën dhe takimet që ka zhvilluar më 18 dhe 19 nëntor në Bruksel, ku, së bashku me zëvendëskryeministrin Thaçi dhe ministrin Çollaku, janë takuar me drejtuesit kryesorë të Bashkimit Evropian, përcjell koha.net.

“Kemi pasur takime të nivelit shumë të lartë, e kemi takuar presidentin e Parlamentit Evropian, z. Martin Schulz, kemi takuar kryetarin e Komisionit Evropian, z. Juncker, kemi takuar po ashtu edhe përfaqësuesen e lartë të Bashkimit Evropian, znj. Federica Mogherini, e kemi takuar komisionerin Avramopoulos, nënkryetaren e Parlamentit Evropian, znj. Lunacek, kemi takuar po ashtu kryetarin e Komisionit për Politika të Jashtme të Parlamentit Evropian, z. Brok, si dhe kemi pas takime me bizneset belge dhe me biznesmenët nga Kosova të cilët veprojnë në Belgjikë, dhe kemi biseduar me ta lidhur me mundësitë e investimeve të tyre në Kosovë”, ka thënë Mustafa.

Mustafa ka thënë se në të gjitha këto takime, është diskutuar lidhur me gjendjen e sigurisë dhe lidhur me rrezikun që po i kanoset edhe vendeve të BE-së dhe botës nga ekstremizmi, i cili çon në radikalizëm dhe në terrorizëm, dhe lidhur me aleancën e përbashkët që duhet ta bëjmë të gjithë që ta luftojmë këtë dukuri.
“I kemi njoftuar lidhur me të arriturat tona sa i përket zhvillimit ekonomik, sa i përket funksionimit të shtetit ligjor dhe prioritetet tjera të Qeverisë së Republikës së Kosovës. I kemi falënderuar për përkrahjen e tyre për nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, dhe kemi kërkuar që Parlamenti Evropian sa më shpejt të ratifikojë këtë Marrëveshje, meqenëse është ratifikuar në Parlamentin tonë”, ka thënë Mustafa.

Mustafa ka thënë edhe se tek çdonjëri prej tyre ka has në preokupimin e dhe brengën lidhur me situatën në Parlament, siç ka thënë Mustafa, “me shfaqjet e dhunshme në Parlament, dhe me papajtueshmërinë e plotë të tyre lidhur me atë që çështjet politike të zgjidhen përmes dhunës, sepse është thënë që kjo është hera e parë që në një vend në Evropë, qoftë anëtarë të BE-së apo jo, po shihen akte dhe veprime të tilla, për çfarë është shprehur papajtueshmëri e plotë”.

Mustafa ka thënë se kryetemë e Qeverisë atje, ka qenë çështja e liberalizimit të vizave.
“Në të gjitha këto organe dhe institucione, kemi kërkuar që të liberalizohen vizat, jo si një dhuratë që duhet t’i jepet Kosovës, por si një përgjigje që duhet të na jepet, në saj të asaj që ne i kemi plotësuar të gjitha kriteret që janë kërkuar prej nesh, si kritere teknike për liberalizim të vizave. Kemi theksuar se mbetet vetëm që të vendoset, të merret vendim politik për liberalizim. Në të gjitha takimet është konstatuar se ne i kemi përmbush kriteret që janë kërkuar nga ne, i kemi njoftuar po ashtu se edhe disa rekomandime përfundimtare të cilat kanë qenë, do t’i përmbyllim brenda dy javëve apo tre javësh”, ka thënë Mustafa. “Është fjala edhe për marrëveshjen që duhet ta kemi me Turqinë, si marrëveshje ndërshtetërore lidhur me riatdhesimin, ndërkaq të gjitha tjerat janë të përfunduara, dhe ne presim që raporti të jetë pozitiv në fund të këtij viti për këtë, dhe po ashtu jemi të sigurt që në vitin 2016 qytetarët tanë do të udhëtojnë pa viza. Kur do të fillojnë të udhëtojnë pa viza, natyrisht se nuk jemi ne e as Qeveria jonë ajo që vendos, janë institucionet e Bashkimit Evropian. Mirëpo, është një e arritur shumë e madhe që kemi arritur t’i përmbushim kriteret që janë kërkuar nga ne, dhe që do të kemi një përgjigje pozitive të Bashkimit Evropian për këtë”, ka shtuar ai.

Sipas Mustafës, ka pasur edhe interesim të bizneseve që të investojnë në Kosovë, për çka organet konkrete do të punojnë edhe në të ardhmen.

Kabineti qeveritar ka miratuar Projektligjin për Regjistrimin dhe Ofrimin e Shërbimeve dhe Masave për Punësimin e të Papunëve, Punëkërkuesve dhe Punëdhënësve, i cili rregullon procedurat e regjistrimit dhe ofrimit të shërbimeve nga Agjencia e Punësimit të Republikës së Kosovës.

Edhe Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Aftësimin, Riaftësimin Profesional dhe Punësimin e Personave me Aftësi të Kufizuara, është miratuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës. Plotësimet dhe ndryshimet e bëra në ligj, do ta bëjnë atë më të zbatueshëm dhe më të qasshëm për këto kategori të shoqërisë sonë.

Në mbledhjen e sotme, Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar edhe Rregulloren për organizimin e brendshëm dhe sistematizimin e vendeve të punës në Ministrinë e Infrastrukturës.

Kabineti qeveritar ka miratuar vendimin për ndryshimin dhe plotësimin e Planit të Dokumenteve Strategjike për vitin 2015, ku është përfshirë edhe Strategjia për sigurimin e cilësisë për arsimin para universitar 2016-2020.