Mustafa: Ndjeva dhimbje për vëllain tim, po ua lë juve, mediave kush duhet të kërkoj falje!

E publikuar: 22/03/2016 22:27
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeministri Isa Mustafa, ka reaguar në faqen e tij në Facebook, pas publikimit të një interviste të vëllait të tij, ai ka rrëfyer se ka shkuar në Gjermani me letra bullgare, në kërkim të shërimit që nuk e gjeti askund.

Mustafa ka mohuar përsëri kërcënimin e gazetarit Vehbi Kajtazi, pas publikimit të lajmit se vëllai i tij ka kërkuar azil në Gjermani, dhe ka thënë se gjendja e vëllait të tij flet “jo për kërcënimet e mia ndaj gazetarit, të cilat në asnjë rast nuk kanë ndodhë, por për kërcënim të ndërgjegjes së atyre që shkelën etikën gazetareske dhe cenuan një të drejtë elementare kushtetuese të njeriut, të drejtën e privatësisë”.

Ky është postimi i plotë i Mustafës:

“Media të nderuara

TV Klan sonte prezantoi një bisedë me vëllain tim, i cili siç kam theksuar, është në gjendje të rëndë shëndetësore. Për fat të keq, ai në këtë gjendje, për motive për mua të paqarta, u bë objekt për opinionin, shtytur nga portal Insajder. Gjendja e tij flet, jo për kërcënimet e mia ndaj gazetarit, të cilat në asnjë rast nuk kanë ndodhë, por për kërcënim të ndërgjegjes së atyre që shkelën etikën gazetareske dhe cenuan një të drejtë elementare kushtetuese të njeriut, të drejtën e privatësisë.

Edhe përkundër dhembjes së madhe që ndjeva duke e parë vëllain tim në atë gjendje në ekranin e TV Klan, megjithatë e falënderoj këtë televizion për profesionalizmin e treguar.

Ndërkaq, po ua lë juve, mediave dhe drejtësisë, të vlerësoni se a është në lirinë e shtypit të atakohen njerëzit në një gjendje të tillë me të pavërteta; kush duhet të kërkoj falje dhe kush duhet të jap përgjegjësi para ligjit!

Me respekt, Isa Mustafa”