Mungon pala e dëmtuar, dështon seanca ndaj Sokol Bashotës dhe të tjerëve

E publikuar: 18/09/2018 12:17
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Seanca gjyqësore ndaj Sokol Bashotës, ish-kryetarit të Komunës së Klinës dhe të tjerëve të akuzuar, ka dështuar të mbahet sot pasi ka munguar përfaqësuesi i palës së dëmtuar, Komunës së Klinës, Ali Shala.
“Shqyrtimi gjyqësor nuk mund të vazhdojë pa praninë e palës së dëmtuar, sepse është shkelje procedurale. Unë kam komunikuar me përfaqësuesin e palës së dëmtuar, dhe kam kërkuar që të vijë në seancë, ndërsa i njëjti është arsyetuar se është i angazhuar në gjykatë në Klinë”, tha kryetari i trupit gjykues, Sylë Lokaj.

Seancat e radhës janë caktuar për datat 18, dhe 19 tetor.

Dje gjatë ditës u mbajt shqyrtimi gjyqësor në të cilin u dëgjuan 6 dëshmitarë, kjo edhe pse nuk ishte i pranishëm përfaqësuesi i të dëmtuarës.

Gjyqtari i çështjes nuk dha arsyetim se pse seanca e sotme është shtyrë, ndërsa dje gjatë ditës u mbajt pa prezencën e përfaqësuesit të palës së dëmtuar.

Sokol Bashota, Enver Berisha, Fadil Gashi dhe Esat Raci akuzohen se në bashkëkryerje, kanë keqpërdorur pozitën dhe autoritetin zyrtar, sepse në bashkëkryerje pasi kanë rënë dakord që së paku 6 nga 10 banesat në pronësi të Komunës së Klinës t’u caktojnë një çmim për qira për vetveten dhe për eksponentët e partive të tyre politike.

Sipas aktakuzës, këtë e kishin bërë pa plotësuar kriteret objektive dhe duke i anashkaluar aplikantët, gjendja ekonomike e të cilëve ishte e keqe.

Mbi ish-kryetarin e komunës së Klinës, Sokol Bashota, rëndojnë katër vepra penale për mosraportim apo raportim të rremë të pasurisë, të të ardhurave, dhuratave apo dobisë tjetër materiale, apo detyrimeve financiare.