MPJ: Liberalizimi i vizave nuk ndërlidhet me dialogun, po ngatërrohen temat

E publikuar: 15/11/2019 16:08
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës ka vlerësuar se është e gabuar përpjekja e disa zyrtarëve të rinj në Bruksel për të lansuar idenë që liberalizimi i vizave për kosovarët të ndërlidhet me përfundimin e dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë, transmeton Klan Kosova.

“Kjo ide jo vetëm që është shkelje eklatante e së drejtës për lëvizje të lirë, por po ashtu është edhe ngatërrim i dy çështjeve, pra dy proceseve që nuk mundet dhe nuk duhet të ndërlidhen”.

“Dialogu si mjet i vetëm për ruajtjen e paqes dhe sigurisë së qëndrueshme në rajon në mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë ka për qëllim të ndërtoj bazamentin për vendosjen e marrëdhënieve të mira ndër-fqinjësore”.

Sipas MPJ-së, dDialogu në mes Kosovës dhe Serbisë dhe proceset në mes të Kosovës dhe Bashkimit Evropian duhet të ecin ndaras dhe pa kushtëzime.

“Qytetarët e Republikës së Kosovës nuk duhet të mbahen peng të ideve “interesante”, tekeve dhe vullneteve të pamatura dhe imponuese, pavarësisht se nga kush vijnë si ide”.

“Dialogu duhet të ketë rrjedhën e vet dhe nuk duhet të has në obstrukcion nga ide që kanë për qëllim ta ndryshojnë kontekstin e zgjidhjes së problemeve të grumbulluara nga konflikti Republikë e Kosovës – Republikë e Serbisë, në një kontekst rajonal, apo në procese që Kosova ka karshi Brukselit zyrtarë”.

Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës vlerëson se jo-konstruktiviteti i imponuar dhe superior do të mbingarkojë agjendat, sepse imponimet dhe devijimet kanë premisa të keqkuptimit dhe keqinterpretimit, dhe për më tepër vështirë se do të hasin në mirëkuptim për të ofruar zgjidhje të pranueshme.