MPJ demanton mediat serbe: Kosova s’harton ‘lista të zeza’, Serbia është ajo që bën një gjë të tillë

E publikuar: 25/11/2018 15:01
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës ka përgënjeshtruar raportimet e mediave serbe për të ashtuquajturën “Listë të Zezë” dhe ekzistimin e ndonjë vendimi nga ana e institucioneve të Kosovës, nëpërmjet të së cilës i ndalohet hyrja apo vizitat eventuale në territorin e Republikës së Kosovës zyrtarëve më të lartë të shtetit fqinj – Serbisë.

“Ministria e Punëve të Jashtme rikujton se për dallim nga praktikat e hartimit të ‘Listave të Zeza’ dhe ‘personave të padëshiruar’ nga shteti fqinj, që kanë përfshirë, por nuk janë kufizuar vetëm në ndalimin dhe moslejimin e hyrjes në territorin e tyre të sportistëve, artistëve, akademikëve, shtetasve ordinerë, që kanë vizituar të afërmit e tyre dhe zyrtarëve të tjerë të lartë shtetërorë nga Republika e Kosovës, institucionet e Kosovës kanë zbatuar në frymë dhe në shkronjë Marrëveshjen e Brukselit, e cila specifikon në mënyrë të qartë se si zhvillohen vizitat e zyrtarëve të lartë në të dyja shtetet respektive”, thuhet në një komunikatë të MPJ-së.

Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës shpreh keqardhje të thellë që mediat në shtetin fqinj “edhe dy dekada pas përfundimit të luftës, vazhdojnë të publikojnë lajme të rreme, që burojnë nga politika propaganduese e pushtetit në Serbi, duke shkelur seriozisht parimet themelore të profesionit që tyre për raportimin e lajmeve të vërteta, të sakta, të pavarura, të paanshme dhe profesionale”.

“Novosti” thotë se Bërnabiqi e funksionarët tjerë serbë do të arrestohen nëse provojnë të hyjnë në Kosovë

10:12
Autoritetet e Kosovës kanë hartuar një listë me “persona të padëshiruar”, në të cilën më së shumti ka funksionarë serbë, shkruan e përditshmja serbe “Novosti”.

Kjo gazetë shkruan se, Qeveria e Kosovës, para se të merrte vendimin për ngritjen e taksave ndaj produkteve serbe në 100 për qind, më 1 nëntor kanë marrë një vendim që funksionarëve më të lartë të Serbisë të mos u lejohet hyrja në Kosovë.

Tutje, gazeta thotë se lista e personave të padëshiruar u është dërguar të gjitha pikave kufitare me paralajmërimin që të arrestohen menjëherë nëse vijnë deri tek ndonjëra pikë kufitare, transmeton Koha.net.

Në dokumentin që “Novosti” thotë ta ketë parë, janë funksionarë serbë, duke nisur nga kryeministrja Ana Bërnabiq, ministrat e Qeverisë serbe, e deri tek gjykatësit.

Në këtë “listë të zezë”, siç e quan gazeta serbe, janë edhe ministri i Punëve të Jashtme, Ivica Daçiq, ministri i Punëve të Brendshme, Nebojsha Stefanoviq, ai i Tregtisë, Rasim Lajiq, ministrja tjetër Zorana Mihajloviq dhe ministri i Mbrojtjes, Aleksandar Vulin.

Më tej, “Novosti” thotë se në listë janë edhe deputetë të Kuvendit të Serbisë, si kryetarja e kuvendit, Maja Gojkoviq dhe nënkryetarët Veroljub Arsiq, Vladimir Marinkoviq, Gjorgje Miliqeviq, Verica Radeta dhe Gordana Çomiq, 14 gjykatës së Gjykatës Kushtetuese në krye me Kryetaren e këtij institucioni, Vesna Iliq Preliq, katër gjykatës të Gjykatës Supreme dhe kryetari i saj, Dragomir Milojeviq, sikurse edhe shumë sekretarë shtetërorë, ndihmës-ministra, etj, transmeton Koha.net.

Me këtë, sipas gazetës, Kosova, pas marrëveshjes së CEFTA-s, ka shkelur edhe marrëveshjen e Brukselit që ka të bëjë me vizitat zyrtare, marrëveshje kjo e nënshkruar më 2014.