Mozilla lançoi Firefox 63, sjell mbrojtje më të mirë nga gjurmimi në ueb

E publikuar: 23/10/2018 16:54
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ditën e sotme Mozilla lançoi Firefox 63 për Windows, Mac, Linux dhe Android.


Ky version sjell “Enhanced Tracking Protection” për mbrojtje më të mirë nga gjurmimi në ueb si dhe performancë të shtuar në Windows dhe macOS.

Firefox 63 për desktop është i disponueshëm për tu shkarkuar nga Firefox.com, dhe të gjithë përdoruesit ekzistues do të përditësohen automatikisht.


Ndërsa versionin Android mund ta shkarkoni në Google Play.

Sipas Mozilla shfletuesi numëron 300 milion përdorues aktivë dhe është një platformë që zhvilluesit duhet ta keni në konsideratë.

Por çfarë është Enhanced Tracking Protection? Për të shpjeguar këtë funksion duhet të kthehemi pas, pikërisht në Nëntor të 2015-ës kur Mozilla solli Tracking Protection në Firefox 42.

Funksioni shërbente për të bllokuar gjurmuesit si reklamat, gjurmuesit analitikë dhe butonët e shpërndarjes të cilët gjurmojnë shfletimin në ueb.

Me Firefox 57 ky funksion mund të aktivizohej edhe jashtë tabeve private.

Enhanced Tracking Protection bllokon aksesin e “cookie” dhe aksesin në memorien e brendshme nga gjurmuesit e palëve të treta.

Në Gusht Mozilla tha se do të bllokojë automatikisht gjurmuesit të cilët ngadalësojnë hapjen e faqeve, gjurmuesit që ndjekin përdoruesi në ueb, skriptet crypto dhe gjurmuesit që identifikojnë përdoruesit nga pajisja që kanë.

Në Android i vetmi ndryshim i prekshëm është modaliteti “Picture-in-Picture” që do të thotë se përdoruesit mund të lëvizin Firefox në një dritare pluskuse më vete.

Mozilla lançon versionet e Firefox çdo gjashtë deri në tetë javë dhe i radhës do të jetë Firefox 64 në Dhjetor. /PCWorld Albanian