Mohimi i masakrës: Kosovarët të mos takohen me zyrtarët serbë, përveç dialogut të ndërmjetësuar

E publikuar: 10/12/2019 16:54
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Masakra e Reçakut në të cilën nga forcat serbe u vranë 45 civilë shqiptarë, ditët e fundit është bërë temë përplasjesh mes politikanëve të Serbisë, Kosovës dhe jo vetëm.

Duke i mohuar krimet e kryera në Kosovë gjatë luftës së fundit në vitet 1998/99, zyrtarët serbë e kanë vënë në pikëpyetje vërtetësinë e masakrës së Reçakut.

Krejt kjo çështje u rikthye në diskutim, pasi Gjykata Themelore në Prishtinë dënoi me dy vite heqje liri ish ministrin serb të Administratës së Pushtetit Lokal në Qeverinë e Kosovës, Ivan Todosijeviq, i cili e kishte quajtur masakrën e Reçakut “një trillim” dhe i njëjti pas kësaj deklarate u shkarkua nga kryeministri Ramush Haradinaj.

Ndërkaq, presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, pas këtij vendimi e përsëriti qëndrimet e tij se masakra e Reçakut në Kosovë “është e fabrikuar” për të arsyetuar fushatën e bombardimeve të NATO-s në vitin 1999.

Por, si do duhej pala kosovare të vepronte në këtë rast dhe a do të duhej të ulej në një tavolinë në dialog me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, pas këtyre deklaratave, njohës të integrimeve evropiane në vend thonë se Kosova duhet të jetë e gatshme të takohet me Serbinë, por vetëm në praninë e faktorëve ndërkombëtarë.

Profesori universitar dhe njohës i integrimeve evropiane, Arben Fetoshi duke folur për lajmi.net rreth deklaratave të zyrtarëve serbë, ka thënë se Kosova ka dështuar deri më tani që ta vërtetojë krimet serbe, ndonëse Vuçiqi ashtu si edhe opinioni botëror, e dinë mirë të vërtetën.

“Mendoj që deklaratat e tilla janë të lidhura pikërisht me dialogun, janë pjesë e një komunikimi strategjik kundër idesë së dialogut. Serbia ka vazhduar ta luftojë subjektivitetin e Kosovës me diplomaci, ndërsa e ka pezulluar dialogun për ta shfrytëzuar në dëm të palës kosovare. Nga ana tjetër, Kosova ka dështuar deri më tani që ta vërtetojë krimin serb, të ndjekë penalisht zyrtarët që kanë kryer krime në Reçak, Krushe, Fortesë, Mejë, e shume vende të tjera, ndonëse Vuçiqi ashtu si edhe opinioni botëror, e dinë mirë të vërtetën”.

Sipas Fetoshit, refuzimi nuk është zgjidhje, por se thotë se Kosova s’ka pse i ndruhet takimeve e dialogut, derisa shton se nuk duhet ta pranojë asnjë zyrtar të Serbisë, në asnjë format, përveç në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar,transmeton Lajmi.net.

“Sidoqoftë, refuzimi nuk është zgjidhja. Kosova duhet të jetë e gatshme të takohet me Serbinë, por vetëm në praninë e faktorëve ndërkombëtarë. Kosova s’ka pse i ndruhet takimeve e dialogut, por nuk duhet ta pranojë asnjë zyrtar të Serbisë, në asnjë format, përveç në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga bashkësia ndërkombëtare. Këtë duhet t’ia bëjë të qartë Brukselit, Uashingtonit e të gjithë faktorëve të tjerë”, ka thënë Fetoshi.

Ndërsa, analisti Blerim Burjani thotë se Serbia duhet të paditet në Gjykatën Ndërkombëtare për krime lufte.

“Serbia duhet te paditet në Gjykatën Ndërkombëtare për krime lufte, kjo padi mund të ushtrohet se bashku me Kroacinë e Sllovenin. Serbia deri me tash të gjithë krimet e kryera nuk i ka pranuara, as nuk do t’i pranoj, pra duhet të paditet Serbia dhe duhet drejtësia të vij për shumë krime të bëra. Serbia nuk pranon gjenocid, por ka bërë gjenocid pa marr parasysh përmasat sa janë në ish Jugosllavi. Duhet të përgjigjet për krime, deri me tash nuk ka pas gatishmëri as nga Kosova e as Kroacia e Sllovenia për krimet serbe të bëra, përveç Bosnja që ka kërkuar drejtësi për Srebrenicen”, ka thënë Burjani.

Për deklaratat e zyrtarëve serb kanë reaguar edhe Ambasada amerikane në Kosovë, ambasada britanike dhe ajo zvicerane.