Miratohet në parim buxheti i Kosovës për vitin 2019

E publikuar: 22/12/2018 09:38
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Me 60 vota pro deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë miratuar në parim Projektligjin për Buxhetin e Kosovës për Vitin 2019. Pro këtij projektligji votuan deputetët e koalicionit PAN dhe deputetët e Partisë Socialdemokrate. LDK-ja e LVV-ja bojkotuan përsëri seancën, shkruan sot Gazeta “Zëri”.

Kuvendi i Kosovës gjatë ditës së djeshme ka miratuar në parim Projektligjin mbi ndarjen buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2019. Nga 62 deputetë që morën pjesë në votimin e këtij projektligji, 60 prej tyre ishin pro. Me këtë rast kryeparlamentari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka thënë se është e rëndësishme për qytetarët që ky projektbuxhet të kalohet. Përpos deputetëve të koalicionit PAN pro këtij buxheti votuan edhe deputetë të Partisë Socialdemokrate. Ndërsa për votimin e buxhetit në sallë nuk qëndruan deputetë të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe të Lëvizjes Vetëvendosje, të cilat e bojkotuan atë. Në mungesë të kuorumit votimi i pikave tjera të rendit të ditës u shty për një ditë tjetër.

PSD-ja me kërkesa për buxhetin e vitit 2019

Para se të votohej ky projektligj shefi i Grupit Parlamentar i Partisë Socialdemokrate, Dardan Sejdiu, ka thënë se kjo parti ka mospajtime për këtë buxhet. “Partia Socialdemokrate e ka shqyrtuar me kujdes Projektligjin për Buxhet dhe ka mospajtime në mënyrën se si janë të definuara prioritetet dhe mungesën e një qasjeje zhvillimore. Të gjitha këto i kemi shpërfaqur edhe në diskutimet tona gjatë shqyrtimit të Projektligjit për Ndarjet Buxhetore. Nuk pajtohemi në asnjë rrethanë që buxheti i Kosovës, pagat, investimet dhe orientimet e tjera zhvillimore, sado problematike që janë, të ndalen ose të pengohen nga Serbia, edhe sot 20 vjet pas çlirimit të Kosovës”, ka thënë ai, shkruan Gazeta “Zëri”. 

Sipas tij, në mënyrë që PSD-ja të përkrahë projektbuxhetin ajo ka disa kërkesa: “Ligji për Paga të miratohet në lexim të dytë së bashku me leximin e dytë të Projektbuxhetit, pra në të njëjtën seancë. Ligji për Dialogun të miratohet në Qeveri dhe të dërgohet në Kuvend jo më larg se ditën e hënë, pra më datën 24.12.2018. Ligji për Qeverinë të sillet në Kuvend për miratim jo më larg se 3 muaj nga sot. I nderuari kryeministër, kërkojmë nga ju funksionalizimin e plotë të Ministrisë së Bujqësisë. Kërkesa jonë e fundit është që të themelohet një komision i veçantë për draftimin e Kodit Pensional dhe të reformës së plotë. Ky komision duhet të udhëhiqet nga PSD-ja”, ka thënë ai.