Ministria e Arsimit planifikon mbajtjen e mësimit online

E publikuar: 13/03/2020 14:38
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministrja e Arsimit, Hykmete Bajrami, ka bërë të ditur se kanë filluar kontaktet që mësimi të mbahet përmes platformave online, gjatë kësaj periudhe.

Ministrja e Arsimit, Hykmete Bajrami, ka bërë të ditur se tashmë kanë filluar kontaktet me operatorët ekonomik për të ofruar ekspertizën e tyre, që mësimi të mbahet përmes platformave online, gjatë kësaj periudhe.

“Menjëherë pas marrjes së masave për ndërprerjen e mësimit në të gjitha nivelet, kemi filluar edhe kontaktet me operatorët ekonomik të cilët mund të ofrojnë ekspertizën e tyre, platformat apo infrastrukturën që mundëson mësimin online (virtual). Deri tani kemi iniciuar kontakte me përfaqësuesit e Microsoft, Gjirafa.com, Edukimi.net dhe LinkPlus, të cilët i falënderojmë për gatishmërinë e treguar për të mundësuar aplikimin e këtij formati të mësimit”, ka shkruar Bajrami në rrjetin social Facebook.

Ajo ka thënë se kabineti i saj është duke vazhduar të ketë kontakte edhe me operator të tjerë, duke ftuar njëkohësisht që të gjithë ata që mund të japin kontributin e tyre në këtë drejtim, që nxënësit të mos mbesin mbrapa me mësime, të paraqiten në MASHT.

“Në ndërkohë, kabineti është duke identifikuar edhe operatorë tjerë potencial që do të mund të ndihmonin në organizimin e mësimit alternativ nga distanca në këto rrethana. Ju bëjmë thirrje të gjithëve që mund të ofrojnë kontribut në këtë proces që të lajmërohen në MAShTI. Po ashtu, kemi vendosur kontakte me Institucionet e Arsimit të Lartë dhe po analizojmë metodat më të mira që mund të aplikojmë për ofrimin e mësimit për të gjithë studentët”, ka shkruar ajo.