Ministri Rrustem Berisha vizitoi kompleksin memorial të UÇK-së në Marinë

E publikuar: 21/06/2018 16:07
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministri i FSK Rrustem Berisha së bashku me zëvendëskomandantin e Komandës së Forcës Tokësore (KFT) gjeneral brigade Xhevahir Gecin, dje më 20 qershor 2018, vizituan njësitë e FSK-së të cilat janë të angazhuara në mbështetje të aktivitetit të zhvarrimit të dëshmorëve të UÇK-së të Zonës Operative të Drenicës nga Polaci i Skenderajt për t’u rivarrosur në Marinë të Komunës së Drenasit.

Në cilësinë e ministrit të FSK-së dhe kryetarit të Këshillit Organizativ, gjatë procesit të rivarrimit ministri Berisha takoi shumë familjarë të dëshmorëve, të cilëve u shprehu ngushëllime, respekt dhe nderim për familjarët e tyre të rënë për liri. Me këtë rast ministri Berisha disa familjarëve ua dorëzoi edhe flamujt kombëtarë me të cilët ishin të mbuluara arkivolet e dëshmorëve. Ai përgëzoi oficerët dhe ushtarët e FSK-së për punën e mirë që po bëjnë, që ky proces të kryhet me dinjitet ashtu siç edhe e meritojnë dëshmorët e kombit.

Po ashtu gjatë ditës së sotme më 21 qershor 2018, zëvendësministri Agim Çeku së bashku me gjeneral brigade Enver Cikaqin, komandant i Komandës së Forcës Tokësore, ishin për vizitë në Polac dhe në Marinë, në vendet ku po zhvillohen aktivitete nga njësitë e FSK-së. Me këtë rast zëvendësministri Çeku theksoi se “ardhja jonë dëshmon rëndësinë dhe seriozitetin që i ka dhënë MFSK-ja dhe ministri Berisha këtij aktiviteti. FSK-ja do t’i kryejë me seriozitet të gjitha shërbimet e nevojshme rreth procesit të rivarrimit. Po ashtu të gjitha kërkesat shtesë, që mund të dalin për ne si ministri gjatë procesit të punës, do të angazhohemi që t’i realizojmë, në mënyrë që ky proces të kryhet ashtu si duhet”.