Ministri i Arsimit përkrah fyerjet nga zyrtari i tij ndaj gazetares së Kohës Ditore

E publikuar: 08/11/2018 16:24
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministri i Arsimit, Shyqyri Bytyqi ka përkrahur gjuhën fyese që këshilltari politik dhe shefit të kabinetit të tij, Baton Dushi, kishte përdorur në një postim kundër gazetares së Kohës Ditore, Edona Kutleshi.

Koha Ditore ka raportuar më 6 nëntor se këshilltari politik, njëherësh shef i kabinetit të ministrit të Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Baton Dushi, ushtron edhe aktivitet afarist në këtë institucion, raporton Koha.net.

Shefi i kabinetit të ministrit Bytyqi bën biznes me kafe në MASHT

Ndërmarrja tregtare “Eki”, pronar i së cilës është Dushi e furnizon bufenë e MASHT-it me kafenë e cila importohet nga Italia. Biznesin me kafe brenda Ministrisë ai e bën që disa vite, por nuk e ka ndërprerë edhe pasi është emëruar zyrtar i lartë.

Dushi e ka konfirmuar për gazetën se ndërmarrja e tij ia shet kafenë bufesë së Ministrisë, dhe, sipas tij, ky fakt nuk përbën problem ligjor.

Ndaj këtij raportimi kishte reaguar dushi me një postim në të cilin gazetaren Kutleshi e kishte quajtur “përbindësh” dhe “jo profesionale”.

“Më vie keq që jam bërë pre mediatike e një përbindëshi të tillë! Më vie keq që kemi një gazetare të tillë jo profesionale. Ajo, në vend që të jetë vërtetë investigative, mjerisht vie dhe bëhet hiq më pak se sa llum mediatik!” thuhet ndër të tjera në postimin e Dushit, të cilin e ka pëlqyer ministri i Arsimit bashkë me dy këshilltarët tjerë, Fehmi Hysenaj dhe Valmir Gashi.

Dushi në këtë postim nuk ka treguar të vërtetën kur ka thënë se Koha Ditore nuk ka raportuar se këtë biznes ai kishte menaxhuar para se të vinte në MASHT.

Ai gjithashtu nuk ka treguar të vërtetën kur gazeta ka publikuar të hyrat e ndërmarrjes, në fakt, ato janë publike te Agjencia Antikorrupsion.

Dushi në këtë postim ka thënë se gazeta ka fshehur deklaratën e drejtorit të biznesit privat “Edukimi” për bufenë, pasi gazeta posedon incizimin me të cilin drejtori i kësaj ndërmarrje, Arsim Ymeri, pohon se kabineti i ministrit i ka borxh qe katër muaj.

Ndaj fyerjeve të Dushit ka reaguar edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës që ka kërkuar të distancohet nga ky qëndrim dhe të kërkojë falje publike për gjuhën e përdorur ndaj saj.

“AGK kërkon nga Dushi që të distancohet nga ky qëndrim ndaj gazetares dhe të kërkojë falje publike për gjuhën e përdorur ndaj saj, si dhe nëse ka pretendime në lidhje me artikullin në fjalë t’i ndjekë rrugët ligjore, e assesi mos të përdorë gjuhë fyese dhe denigruese në drejtim të gazetares Kutleshi”, thuhet në reagimin e AGK-së.

Image

Image