Messi: Nuk ka rivalitet me Ronaldon

E publikuar: 11/06/2015 15:56
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Surprizon Lionel Messi me deklaratat e tij. Ylli i Barcelonës në një intervistë ka theksuar se nuk ekziston asnjë lloj rivaliteti mes tij dhe Cristiano Ronaldos.

Sulmuesi argjentinas dhe ai portugez prej disa vitesh kanë fituar statusin e dy futbollistëve më të mirë në Botë dhe trofeu i Topit të Artë është kthyer në një duel mes të dyve në 7 edicionet e fundit, madje kështu parashikohet të jetë edhe gjatë 2 apo tre viteve të ardhshëm. Por Messi mendon të kundërtën kur pyetet nëse ka apo jo një rivalitet të madh mes tyre.

“Nuk ka asnjë lloj rivaliteti mes meje dhe Cristiano Ronaldos. Kjo është dicka e shpikur nga mediat vizive dhe ato të shkruara. Unë dhe Ronaldo mendojmë vetëm të japim më të mirën për klubet tona respektive asgjë më tepër. Rivaliteti i madh ekziston mes Barcës dhe Realit dhe jo mes Messit dhe Cristianos. Nuk ka patur një Messi kundër Ronaldos dhe asnjëherë nuk do të ketë”.

Në vijim të intervistës së tij Messi i shprehu edhe njëherë tjetër dashurinë Barcelonës. 27-vjecari argjentinas zbuloi se dëshira e tij është ta përfundojë karrierën te blaugranat.

“Barcelona është dhe do të jetë skuadra e zemrës time. Besuan tek unë kur isha shumë i ri dhe në momentin që askush nuk e bëri dicka të tilla. Kurrë nuk kam dëshiruar të jem pjesë e një tjetër ekipi. Do të qëndroj te Barcelona deri në momentin që në klub do ta duan një gjë të tillë”.

Aktualisht Lionel Messi është i angazhuar me kombëtaren e Argjentinës në Kupën Amerikës. Në Kili 4-herë fituesi i Topit të Artë ka si synim kryesor të fitojë trofeun e tij të parë në këtë kompeticion me përfaqësuesen albiceleste./ss/