Mes protestash, Irani bllokon rrjetet Instagram dhe Telegram

E publikuar: 01/01/2018 01:25
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Irani bllokoi sot rrjetet Instagram dhe Telegram, ndërsa vazhdojnë protestat disa ditore kundër qeverisë në mbarë vendin.

Autoritetet njoftuan se do të bllokonin “përkohësisht” të dyja këto aplikacione, “për të ruajtur paqen”, ndërsa demonstratat po shtohen. Shumë protestues po i përdornin këto dy rrjete për të qarkulluar foto dhe video nga demonstratat.

Pavel Durov, drejtuesi i rrjetit Telegram, njoftoi nëpërmjet Twitter-it, se aplikacioni ishte bllokuar pasi refuzuan t’i bindeshin urdhërit të qeverisë iraniane për të mbyllur rrjetin.

Zoti Durov shkruan se “autoritetet iraniane po bllokojnë qasjen në Telegram për shumicën e iranianëve, pasi ne refuzuam publikisht që të mbyllnim rrjetin”.

Një ndër klerikët kryesorë iranianë, Ayatollah Mohsen Araki, u tha mijëra mbështetësve të tubuar të qeverisë se armiqtë kërkojnë të përdorin mediat sociale dhe problemet ekonomike për të ngjallur një tjetër valë rebelimi.