Memli Krasniqi: VV e LDK të interesuara vetëm për kolltuqe, i harruan shpejt premtimet e programin

E publikuar: 04/12/2019 17:15
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Partia Demokratike do të qëndrojë jashtë çdo pazari të mundshëm politik dhe në këtë formë nuk do të jetë pjesë e asnjë diskutimi për qeverinë e ardhshme.

Ky është mesazhi që ka dhënë sot ish-shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Memli Krasniqi,transmeton Lajmi.net.

Për lajmi.net, Krasniqi ka thënë se nga krejt ajo që është duke u parë me zhvillimet e fundit në skenën politike, është e qartë se VV e LDK sipas tij s’janë të interesuara për asgjë tjetër përveç kapjes së pushtetit dhe pozitave.

Sipas tij, këto dy subjekte i kanë harruar shpejtë premtimet dhe programin, dhe në këtë formë po tregojnë qartë se nuk japin llogari për votuesit e tyre.

“Tashmë është e qartë për të gjithë që VV dhe LDK nuk janë të interesuar për asgjë tjetër, përveç për të kapur sa më shumë pushtet. I harruan shpejtë premtimet dhe programin, dhe të zhveshur nga çdo maskë, po tregojnë sheshazi që nuk i japin pesë pare për votuesit e tyre, por vetëm për kolltuqet e tyre të ardhshme. Ne shpresojmë se ata s’do ta dëmtojnë Kosovën edhe tash me këtë qasje, siç e kanë dëmtuar gjatë kohës kur ishin në opozitë”, ka thënë Krasniqi.

Tutje, Krasniqi e ka qartësuar edhe njëherë pozicionin e PDK-së, se ky subjekt do të rrijë në opozitë gjatë këtij mandati, dhe në asnjë formë nuk do të bëhet pjesë e çfarëdo diskutimi për Qeverinë e ardhshme.

“PDK e ka bërë të qartë që në natën e zgjedhjeve që ne do të jemi opozitë në këtë mandat dhe ne asnjë mënyrë nuk do të bëhemi pjesë e çfarëdo diskutimi për qeverinë e ardhshme”, ka thënë Krasniqi.

Lajmi.net ka raportuar gjatë ditës së sotme, se përveç PDK-së, as partitë tjera të ish-koalicionit PAN s’do të bëhen pjesë e negociatave me Vetëvendosjen për arritjen e koalicionit.

Negociatat mes VV dhe LDK ngecën në pikën e ndarjes së posteve. Hiset u bënë mollë sherri mes dy subjekteve, teksa LDK po kërkon me çdo kusht pozitën e presidentit, gjë për të cilën nuk ka gjetur dakordim tek VV. /