Me 70 pikë epërsi, Rahoveci nënshtron Borenë në Pejë

E publikuar: 20/01/2019 21:57
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Klubi basketbollistik Rahoveci e ka dominuar sfidën përballë Boresë (59-129) e zhvilluar në “Karragaçi” në Pejë, e vlefshme për pjesën e dytë të sezonit në Superligën e Kosovës në basketboll.

Skuadra mysafire e nisi mirë takimin duke i shënuar 19 pikë më shumë (14:33) se ekipi vendas.

Dominimi total i ‘Vreshtarëve’ ishte në dhjetëminutëshin e dytë në të cilin shënuan plot 43 pikë dhe i pranuan vetëm nëntë.

Pas kthimit nga pushimi, diferenca më e ngushtë ishte në fraksionin e tretë, pasi vizitorët shënuan vetëm një pikë më shumë (19:20), por epërsia vazhdoi të ishte jashtëzakonisht e lartë.

Për ta përmbyllur një prej triumfeve me epërsi shumë të lartë, mysafirët ishin sërish dominues në çerekun e katërt (17:33).

Me dhjetë fitore dhe pesë humbje, Rahoveci pozicionohet në vend të tretë në tabelë me pikë të barabarta me Golden Eagle Yllin që është një vend më lartë.

Borea është në vend të fundit në tabelë, me vetëm tri fitore dhe 12 humbje të regjistruara. /Telegrafi/