Lladrovci për Kurtin: Pas 90 ditësh PDK-ja do t’i lëshohet si knus n’kry

E publikuar: 11/10/2019 23:55
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka thënë se partia e tij, PDK’ja, do të pret 90 ditë që të shohë si do të qeverisin partitë në pushtet, e pas 90 ditëve, do t’i lëshohet atyre si këndes në kokë.

“Në 90 ditë nuk kemi drejtë me fol se si kanë me udhëheq, e pas 90 ditëve, ju lëshohemi si knusa në kry dhe ju rrimë gati që të mos i bëjnë gabimet”, është shprehur Lladrovci.

Sipas tij, Albin Kurti tash e tutje duhet të veprojë ashtu siç ka deklaruar në fushatë, e jo të bëhet si Albini i vjetër, siç e quajti ai.

“Kosovës i duhet të paktën të jetë ai Albini që ka qenë gjatë fushatës”, ka deklaruar Lladrovci.

Në 20-vjetorin e themelimit të PDK-së, meqë kryetari i kësaj partie, Kadri Veseli e ka pranuar humbjen, Lladrovci thotë se ai tashmë duhet ta lë Kuvendin dhe të punojë për partinë.

“Unë i kisha propozuar Veselit që të mos vazhdojë si deputet në Parlamentin e Kosovës, po të kthehet në parti dhe të merret me organizimin e partisë”, ka thënë i pari i Drenasit.