Limaj: Deputetët nuk kanë mandat të votojnë kundër sovranitetit të vendit (Video)

E publikuar: 26/06/2015 00:24
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Lideri i NISMA’s Fatmir Limaj thotë se deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk kanë të drejtë të votojnë kundër sovranitetit të vendit. E ky sovraniteti sipas tij, cënohet nëse në seancën e së premtes votohet themelimi i Gjykatës Speciale.

“Ndryshimet kushtetuese po kërkojnë cënimin, kufizimin e sovranitetit të vendit tonë. Me këto ndryshime kushtetuese Kosovës po i kërkohet me e ndërtu një sistem paralel të drejtësisë. Me këto ndryshime kushtetuese Kosovës në një mënyrë ose tjetër po i kthehet një pavarësi e mbikëqyrur me segmente të caktuara të shtetit të saj. Me këto ndryshime kushtetuese po preket një nga segmentet, një nga shtyllat që përbëjnë sovranitetin shtetëror që është drejtësia dhe në këtë frymë, në këtë çështje ne jemi të vendosur se ky çmim që po kërkohet me pagu është i tepërt. Kosova nuk e meriton, qytetarët e Kosovës, vendi nuk e ka merituar që pas 16 vitesh të edhe një herë me u shtru çështje e kufizimit të sovranitetit ose një rikthim në protektorat të një pjese të sovranitetit të vendit dhe për këtë besoj askush, as krerët e shtetit as deputetët e parlamentit të Kosovës nuk kanë të drejtë, nuk kanë mandat që të votojnë kundër sovranitetit të vendit”, tha Limaj në Interaktiv të KTV’së.

Limaj tha se shumica e deputetëve të Kuvendit nuk e kuptojnë se çfarë ndryshime kushtetuese janë duke bërë. Sipas tij ata nuk i njohin ligjet, nuk e dinë edhe rëndësinë që do të ketë themelimi i Grykës Speciale.

“Ata nuk e dinë çfarë janë duke bërë. Shumica nga deputetët ligjet i lexojnë si vjersha e poezi dhe nuk e dinë rendësin e tyre. Ata mendojnë se me negociata e me takime me ndërkombëtarët kryhet këto punë, por po harrojnë se Gjykata Speciale ka rëndësi të madhe dhe themelimi i saj nuk është kaq i lehtë”, ka thënë ai.