Lëshohet urdhër-arrest ndaj katër ish-zyrtarëve serbë të policisë së Kosovës

E publikuar: 21/08/2019 22:11
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Gjykata themelore në prishtinë ka lëshuar urdhër-arrest ndaj katër ish-zyrtarëve serbë të policisë së Kosovës: Rade Radosavljeviç, Dragan Radojeviç, Milan Jovanoviç dhe Dejan Vukashinoviç, pasi dyshohen për kontrabandë me mallra.

Më 2 gusht, gjykata lëshoi urdhër-arrest ndaj katër ish-zyrtarëve serbë të policisë së Kosovës, raporton insajderi.

“Ekziston dyshimi i bazuar se nga viti 2011 dhe në vazhdim, në atë mënyrë që të pandehurit Rade Radosavljeviç, Dragan Radojeviç, Milan Jovanoviç, dhe të tjerë, kanë keqpërdorur pozitën e tyre zyrtare duke kontrabanduar mallra të ndryshme, nëpërmjet rrugëve ilegale nga republika e Serbisë në republikën e Kosovës dhe anasjelltas, për të cilin pranë prokurorisë janë duke u zhvillu hetimet në drejtim të disa veprave penale”, thuhet në vendimin e gjykatës.

Policia e Kosovës kishte zhvilluar aksion kundër kontrabandës me mallra në veri të vendit më 28 maj të këtij viti, por nuk kishte arritur t’i arrestonte katër zyrtarët e policisë së Kosovës.

Në këtë aksion, një pjesëtar i policisë ishte plagosur lehtë me armë zjarri.

Që nga fillimi i këtij aksioni, në pjesën veriore ishin aktivizuar alarmet, të cilët njëjtë aktivizohen sa herë që organet e rendit ndërmarrin aksione në përmbushjen e obligimeve ligjore.