Lëndohet Florian Marku, detyrohet ta shtyjë meçin

E publikuar: 15/08/2018 03:29
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Florian Marku është detyruar ta shtyjë meçin e caktuar për datën 14 shtator në MMA, për shkak të një lëndimi që ka pësuar.

Ylli shqiptar i arteve të përziera marciale do të duelonte me rusin Sergey Klyuev në sallën “Bill Clinton” në Ferizaj në muajin e ardhshëm, mirëpo dueli nuk do të zhvillohet më 14 shtator.

Arsyeja e kësaj shtyrjeje është një aksident që ka pësuar Marku, me ç’rast e ka lënduar krahun.

“Syri i keq. Ndeshja nuk do të zhvillohet me datë 14 shtator në Ferizaj, por do të shtyhet pak javë më vonë për shkak të një aksidenti që pësova sot”, ka shkruar Floriani në njoftimin e tij në Instagram.

Postimin e ka shoqëruar edhe me fotografi, ku shihet një çarje e thellë në bërryl, e cila do kohë për t’u shëruar.

Kundërshtari i shqiptarit, Sergey Klyuev, numëron gjashtë fitore nga shtatë meçe të zhvilluara.

Pritet të shihet se kur do të caktohet të zhvillohet dueli ndërmjet Florian Markut dhe Sergey Klyuev. /Telegrafi/