Lekaj viziton vendin ku po rrëshqet dheu në magjistralen Kaçanik – Hani i Elezit

E publikuar: 10/05/2018 17:42
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, sot me bashkëpunëtorë, ka vizituar segmentin e rrugës, Kaçanik-Hani i Elezit, ku po ndodhin rrëshqitjet e gurëve dhe dheut, si pasojë e të cilave është mbyllur kjo rrugë deri në sanimin e plotë të gjendjes.

“Ne jemi në vendin ku po ka rrëshqitje e që kemi marrë vendim për ndalim të qarkullimit rrugor edhe pse ka qenë e pa pranueshme, meqë e atakon transportin dhe lëvizjen e lirë, mirëpo jemi shtyrë të marrin një vendim të tillë për shkak të sigurisë së qytetarëve. E falënderoi drejtorin e projektit të “Bexhtel & Enka”, zotin Riyadh, për ofrimin e të gjitha shërbimeve që nga dita e parë si dhe zëvendësministrin Rexhep Kadriu, ​për ndihmën në vendimin që ta parandalojmë para se të ndodhë diçka e keqe”, ka thënë Lekaj.

“Kjo është një praktikë e mirë në Kosovë, ne do të vazhdojmë dhe do t’i shikojmë të gjitha pikat tjera që rrezikojnë jetën e qytetarëve dhe do të intervenojmë paraprakisht dhe jo pasi që të ndodhë ngjarja. Prandaj këtu jemi që të sanojmë gjendjen sa më parë, mbi bazën e vlerësimeve që do t’i kemi brenda një jave dhe në bazë të fjalës së ekspertëve do të vendosim se si t’i qasemi sanimit të rrugës, sepse ka vështirësuar qarkullimin e njerëzve dhe të mallrave. Ne dje kemi rënë në kontakt me Qeverinë e Maqedonisë dhe me homologun tim kam biseduar tri herë nëpërmjet telefonit dhe jemi çfarëdo vendimi që të merret për zhvendosjen e doganave në Glloboçicë, janë dakord si Qeveri e Maqedonisë në mënyrë që të mos kemi vështirësi në komunikim dhe dogana, gjë që varet edhe nga ta”.

Ndërkaq, Drejtori i Projektit Riyadh Alkhazraji ka thënë se ata po japin kontributin e tyre në ndihmë për analizuar dhe sanuar gjendjen në mënyrë që pas sanimit të këtij segmenti, kjo rrugë të jetë e sigurt në plan afatgjatë për të gjithë qytetarët e vendit.

Më pas ministri Lekaj, ka vizituar urën që po ndërtohet në Autoudhën “Arbën Xhaferi”, e cila është një ndër urat më të mëdha në vend dhe rajon dhe ka parë nga afër punimet që po kryhen në këtë projekt madhor dhe tejet me rëndësi për vendin dhe qytetarët.