Kuvendi i Maqedonisë pritet të nis debatin për zbatimin e Marrëveshjes me Greqinë

E publikuar: 09/01/2019 13:21
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Faza e tretë dhe e fundit e ndryshimeve kushtetuese ndodhet për miratim në Kuvendin e Maqedonisë, dhe nëse kalon me dy të tretat e nevojshme të votave, rrumbullakohet zbatimi i Marrëveshjes me Greqinë për zgjidhjen e kontestit të emrit.

Deputetët duhet të votojnë amendamentet që parashohin me këtë Marrëveshje për emrin e ri të shtetit, Maqedonia e Veriut, si dhe zëvendësimin e të gjithë mbi mbiemrave maqedonas në Kushtetutë me emrin Maqedonia e Veriut.

Por, miratimi i tyre deri në momentin e fundit mbetet i paqartë për shkak të kërkesave të opozitës shqiptare, kryeministri Zoran Zaev të martën ka takuar kryetarin e Aleancës për Shqiptarët, Zijadin Sela ndërsa më parë edhe atë të Lëvizjes Besa, Bilall Kasami, dy parti këto opozitare që kanë kushtëzuar katër votat e tyre me pranimin e disa amendamenteve, me të cilët pretendojnë të përmirësojnë pozitën juridike të shqiptarëve në Kushtetutë.

Kryeministri Zaev tha se ka pranuar kërkesat e partisë së Zijadin Selës që ka të bëjnë me preambulën, diasporën dhe tjetrën me Kosovën e cila tani në Kushtetutë do të jetë shtet fqinj i Maqedonisë, pasi deri tani ajo nuk figuronte në aktin më të lartë juridik në vend.

“Fjalia e parë e Kushtetutës, preambula do të heq padrejtësinë e definimit të gjërave, në formën e dy kategorive të qytetarëve, që i bën qytetarët më të barabartë dhe gjithsecili sheh veten më të përfaqësuar në Kushtetutë”, ka deklaruar kreu i Aleancës për Shqiptarët, Zijadin Sela.

Sa i përket kërkesës tjetër për gjuhën shqipe, Sela tha se ajo për momentin është e parealizueshme, por se nuk do të heqë dorë që në të ardhmen edhe kjo kërkesë të plotësohet e që ka të bëjë me zëvendësimin e termit, gjuhë që e flasin 20 për qind e popullatës, me termin adekuat, gjuha shqipe.

Ndërkohë, gjatë debatit mbetet të shihet edhe marrëveshja eventuale me partinë tjetër opozitare, Lëvizja Besa e cila veç tjerash kërkon ndryshime edhe në pjesën e shtetësisë apo dokumenteve personale.

Ajo kërkon që të mos qëndrojë grafa “maqedonas/shtetas i Maqedonisë së Veriut”, por vetëm shtetas, pa përcaktimin maqedonas, apo nëse qëndron ky përcaktim atëherë edhe bashkësitë etnike të kenë të drejtën e përcaktimit, si “shqiptar/shtetas i Maqedonisë së Veriut”.

Kompromisi i mundshëm mund të jetë ai që për shqiptarët në dokumentet e tyre personale të qëndron vetëm formulimi /shtetas i Maqedonisë së Veriut”.

Debati parlamentar ndërkohë pritet të përcillet edhe me protesta nga kundërshtarët e Marrëveshjes me Greqinë. Disa nga drejtuesit e tyre kanë thënë se marrëveshja është kapitulluese dhe në rast të ndryshimit të pushtetit, të njëjtën edhe do ta anulojnë.

Ndryshe, Marrëveshja për emrin zhbllokon procesin e integrimit të Maqedonisë në NATO dhe Bashkimin Evropian, që ishte bllokuar nga Greqia e cila e kishte kushtëzuar me ndryshimin e emrit të shtetit. Por, që marrëveshja të jetë e përfunduar duhet të miratohet edhe në Parlamentin e Greqisë.