Kurti: Me qeverisjen e Vetëvendosjes do të lirohet nafta për bujqit dhe do të hiqen xhipat e shtrenjtë qeveritarë

E publikuar: 04/11/2018 20:46
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka reaguar lidhur më çmimin e shtrenjtë të naftës, sidomos për bujqit kosovarë.

Ai ka thënë se me qeverisjen e Lëvizjes Vetëvendosje në të ardhmen, nafta për bujq do të jetë më e mirë dhe se do të hiqen nga përdorimi xhipat e shtrenjtë qeveritar, njofton Klan Kosova.

“Që prej shpalljes së pavarësisë, nafta kurrë s’ka qenë më shtrenjtë: 1 litër = 1 euro e 22 centë. Edhe më kaherë se kaq, nuk ka pasur këso thatësie në muajt tetor e nëntor. Shumë bujq sivjet nuk kanë mbjellë fare, kurse atyre që kanë mbjellë nuk po iu mbin fara. Shumë moti bujqësia kosovare s’ka qenë kaq dobët e importi kaq i lartë”.

“Sistemet e ujitjes janë me shumë defekte teknike dhe pa investime qeveritare. Arat pa ujë shiu prej qielli, janë edhe pa ujitje kanalesh tokësore. Sipër tyre, traktorë të rrallë e që të gjithë të vegjël. Fara e plehu edhe të shtrenjta edhe pa cilësi. Një shtet që e lë tokën e vet djerrë, nuk ka çfarë korr”, ka shkruar Kurti.

Sot po shtohen xhipat qeveritarë, që e kanë naftën e lirë ashtu siç duhet ta kishin traktorët e bujqve të cilët s’po kanë llogari të punojnë tokën. Me qeverisjen e Lëvizjes VETËVENDOSJE! nesër, lirohet nafta për traktorët e bujqve që do ta punojnë tokën dhe hiqen xhipat e shtrenjtë, sepse popullit i duhet dhënë llogari.