Kur flet Rupert Neudeck- mendon Gjermania!

E publikuar: 31/03/2015 00:19
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Rupert Neudeck është një prej autoriteteve më të larta morale që Gjermania ka. Nuk është kurrfarë risie as sekreti që Qeveritë dhe mediat, shoqëria civile dhe humanistët gjermanë në Rupert Neudeckun shohin një përmendore të gjallë të Gjermanisë së re- Gjermanisë e cila me angazhimin e saj ka provuar dhe provon ta jap atë që mund dhe duhet të quhet- humanizmi dhe pavarësia, ndihma dhe solidariteti, angazhimi dhe pavarësia në gjykim dhe kritikë. Për tema kombëtare (gjermane) dhe ndërkombëtare (nga krizat e deri tek luftërat).

Për Neudeck nuk ka çfarë të thuhet- pos faktit që vetëm  një klikim i thjeshtë në Wikipedia mund të tregojë se kush është ky njeri- njëri prej humanistëve në mos humanisti më i madh gjerman i gjallë. Biografia e tij mund të lexohet KËTU dhe mund të shihet që nuk ka çmim që ai nuk e ka marrë- në Gjermani dhe Evropë.

Neudeck ka një lidhje të veçantë me Kosovën. Para, gjatë dhe pas luftës ai u angazhua shumë për të drejtat e shqiptarëve dhe luftën e tyre për liri. Kosova ka bërë pak për të- edhepse ai kurrë nuk ka kërkuar diçka për angazhimin e tij të pafundmë. Prandaj kur flet Neudeck nuk është që i ngjet një ish-politikani evro-amerikan që don kundërshpërblim. Përkundrazi. Fjalët e tij janë alarmi që ai  e kishte dhënë edhe në vitin 1999 kur serbët donin ta shfarosnin popullin e Kosovës por edhe në vitin 2004 kur shqiptarët u çuan kundër UNMIK-ut të cilin Neudeck e urrente aq shumë. Ashtu siç ua thotë edhe sot politikanëve të Kosovës atë që ua tha: që janë kriminelë.

Dhe po: fjalët e Neudeck nuk janë që do t’u lënë përshtypje edhe aq politikanëve të Kosovës. Qytetarëve të vendit po. Dhe më së shumti Gjermanisë. Sepse kur flet Rupert Neudeck- mendon Gjermania! /Gazeta Blic