Kryetari i Prizrenit ia kishte besuar detyrën inspektorit të akuzuar për vepër penale

E publikuar: 26/03/2016 14:54
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryetari i Prizrenit, Ramadan Muja, mbikëqyrjen inspektuese të Qendrës Historike të Prizrenit ia kishte besuar një inspektori, që fillimisht ishte akuzuar nga Prokuroria Themelore për keqpërdorim të detyrës zyrtare, derisa pak muaj më parë Gjykata Themelore e kishte shpallur atë fajtor për kryerjen e kësaj vepre penale.
Sipas dokumenteve zyrtare kryetari Muja, më 31 korrik 2014, kishte miratuar vendimin, me të cilin inspektorin e ndërtimtarisë E.B. e cakton inspektor për mbikëqyrjen e zhvillimeve në Qendrën Historike të Prizrenit, ani pse Prokuroria Themelore e Prizrenit kishte paraqitur në Gjykatën Themelore aktakuzën kundër tij, më 20 maj 2014, për shkak të veprës penale, keqpërdorim i pozitës zyrtare, shkruan sot Koha Ditore.

Fakti që inspektori në fjalë kishte qenë prej dy muajsh nën akuzë nuk është përfillur nga lidershipi komunal.

Kryetari i Prizrenit, më 31 korrik 2014, duke u bazuar në dispozitat e Ligjit të vetëqeverisjes lokale, të Ligjit për Qendrën Historike të Prizrenit dhe të Statutit të Komunës së Prizrenit, kishte miratuar vendimin me të cilin kishte caktuar inspektorin për mbikëqyrjen e aktiviteteve dhe zhvillimeve në Qendrën Historike të Prizrenit dhe kishte precizuar se inspektor për Qendrën Historike të Prizrenit caktohet E. B., inspektor i ndërtimtarisë në Drejtorinë e Inspektorateve të Prizrenit.