Kryeministri para studentëve të Harvardit: Angazhohem për një aleancë trans-atlantike, ideja se duhet zgjedhur mes BE-së dhe SHBA-së është dilemë false

E publikuar: 18/05/2020 20:04
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Albin Kurti, Kryeministri në detyrë ka zhvilluar një bisedë virtuale me studentët e Universitetit të Harvardit, që u organizua dhe bashkësponzoruar nga Shoqata e Studentëve Shqiptarë në këtë Universitet, raporton Infosot.

Kurti studentëve iu drejtua me fjalimin e Ukshin Hotit që në vitin 1970 ishte student në Harvard.

Shefi i ekzekutivit ka folur edhe për 100 ditëshin e tij të qeverisjes, ndërsa premtoi se do angazhohet për krijimin e vendeve të reja të punës.

Komunikata e plotë:

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti, nëpërmjet një adresimi virtual foli sot para studentëve të Universitetit të Harvardit në kuadër të organizimit “Një Bisedë me Kryeministrin e Republikës së Kosovës Albin Kurti” të bashkëorganizuar dhe bashkësponzoruar nga Shoqata e Studentëve Shqiptarë në Universitetin e Harvardit. Diskutimi u moderua nga Ambasadori Nicholas Burns, Profesor i Praktikës së Diplomacisë dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare.

Fjalën e tij, Kryeministri në detyrë, e filloi me një citat të Profesor Ukshin Hoti, i cili edhe vetë ishte student i Universitetit të Harvardit gjatë fundviteve shtatëdhjeta; “Pa marrë parasysh se sa të rinj dhe të papërvojë që ne jemi në këto procese, ne jemi zotuar se gjithmonë do të ecim dhe shohim përpara, se do të udhëhiqemi nga ajo se çka është progresive dhe se nuk do të biejmë në kurthën e revanshizmit politik, jo vetëm se kjo nuk na çon askund, por se një fenomen i tillë është reaksionar për të gjithë shoqëritë dhe gjatë gjithë kohës.”

Në vazhdim të fjalës së tij, ai foli për prioritet e Qeverisë së tij të cilat bazohen në dy drejtime kryesore: drejtësi dhe punësim, dhe për 100 ditëshin e Qeverisë. Kryeministri theksoi se ai angazhohet për një aleancë trans-atlantike dhe se ideja se duhet zgjedhur mes BE-së dhe SHBA-së është dilemë false sepse duhen të dyja. Pa BE-në dhe tregun e tyre nuk do të kemi zhvillimin që na duhet dhe pa Amerikën nuk kemi mbrojtjen që nevojitet.

Në fund, Kryeminstri në detyrë Kurti ndau me studentët këshillën e tij që të mos e nënvlerësojnë fuqinë që ndodhet brenda tyre dhe stuhinë që qëndron para tyre.