Kryeministri Haradinaj priti ambasadorin, Ossowski

E publikuar: 22/09/2017 17:04
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, u takua sot me Përfaqësuesin Special për Negocim të Kornizës Financiare Shumëvjeçare të BE-së dhe Drejtor për Politikat e BE-së në Ministrinë e Jashtme Gjermane, Ambasadorin Thomas Ossowski.

Kryeministri Haradinaj prezantoi prioritetet qeveritare që mbulojnë fushën e sundimit të ligjit, qeverisjen e mirë, luftën kundër korrupsionit, zhvillimin ekonomik dhe perspektivën euroatlantike për Kosovën në përputhje me agjendën evropiane dhe detyrimet që rrjedhin nga Marrëveshja e Stabilizim Asociimit.

Kryeministri Haradinaj poashtu theksoi në takim se marrëdhëniet dypalëshe midis Gjermanisë dhe Kosovës janë të shkëlqyera dhe se ai do të punojë ngushtë me Berlinin zyrtar për të thelluar marrëdhëniet e mëtejme dhe bashkëpunimin në të gjitha fushat, e me theks të veçantë për investimet gjermane në Kosovë.

Ambasadori Ossowski mirëpriti fokusimin e qeverisë për Agjendën Evropiane dhe e inkurajoi Kryeministrin Haradinaj për dinamizimin e angazhimeve për bashkëpunimin fqinjësor dhe integrimet rajonale si mekanizëm zhvillimor që lehtëson integrimin e Kosovës dhe rajonit në BE.