Kronikë e përmbledhur e fushatës terroriste sllavo-maqedonase në Kumanovë

E publikuar: 09/05/2015 16:00
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Disa të vrarë e dhjetëra të plagosur, ky ka qenë epilogu i luftimeve të sotme në qytetin e Kumanovës. Forca të shumta të policisë ushtarake, mjete të blinduara, të shtëna zjarri e fluturime helikopterësh kanë qenë skenat e sotme që tronditën banorët e Kumanovës. Njësitë speciale të Policisë maqedonase ‘Tigrat’ kanë rrethuar sot në orët e hershme të mëngjesit Lagjen e Trimave, e banuar me shqiptarë, disa qindra metra larg qendrës së qytetit të Kumanovës.

Përleshjet midis pjesëtarëve të Policisë dhe një grupi të panjohur të armatosur, kanë vazhduar për disa orë, ndërkohë që pamjet filmike tregojnë për dy shtëpi të djegura. Raportimet nga terreni flasin për të vrarë e të plagosur në mesin e popullatës civile dhe forcave të sigurisë. Ndonëse ende nuk është konfirmuar përfundimisht, nga zjarri i policisë maqedonase kanë gjetur vdekjen një vajzë 8-vjeçare dhe prindërit e saj, të cilët banonin në një shtëpi në afërsi të ambulantës së qytetit.

Luftimet kanë vazhduar për disa orë, ndërkohë që në këtë aksion ishin të përfshirë kryesisht pjesëtarë maqedonas të Policisë. Banorët shqiptarë të këtyre lagjeve shprehen të tmerruar nga luftimet që u zhvilluan në orët e hershme të mëngjesit të sotëm. Gjatë aksionit të sotëm  ka pasur edhe shumë shqiptarë të arrestuar, banorë të Lagjes së Trimave në Kumanovë. Bëhet e ditur se i arrestuar është Besnik Ajdini, së bashku me nënën, gruan dhe fëmijët e tij. Ndërkohë, raportimet e fundit nga Spitali i Shkupit flasin për rreth 20 policë të plagosur, disa prej të cilëve ndodhen në gjendje të rëndë. Përveç në qytetin e Kumanovës, njësitë policore maqedonase kanë rrethuar edhe fshatin Hotël, ku bllokuar të gjitha hyrje-daljet.

Autoritetet maqedonase kanë dhënë deklarime të pamjaftueshme për aksionin e sotëm. Zëdhënësi i Policisë, Ivo Kotevski ka dhënë versionin e tij të ngjarjes, duke i cilësuar të rrethuarit si “terroristë”. Edhe kësaj radhe, autoritetet maqedonase kanë bërë përpjekje për të paraqitur konfrontimet si pasojë e grupeve të armatosura të ardhura nga jashtë, duke implikuar Kosovën.  rkl/