Kriteri ekonomik, kushti kryesor në agjendën integruese evropiane

E publikuar: 31/01/2018 16:47
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kosova duhet t’i përmbushë kriteret ekonomike të kërkuara nga Bashkimi Evropian, në mënyrë që të kualifikohet për tregun e përbashkët të BE-së, ka deklaruar Përfaqësuesja e Bashkimit Evropian në Prishtinë, Nataliya Apostolova.

Këto komente, ajo i ka bërë pas pranimit të raportit vjetor të Qeverisë së Kosovës për reformat ekonomike për vitet 2018-2020.

Kriteret ekonomike evropiane, ka theksuar Apostolova, nënkuptojnë një ekonomi funksionale të tregut, që ka kapacitete t’i bëjë ballë konkurrencës brenda tregut të përbashkët të BE-së.

“Komisioni Evropian, për çdo vit, në Raportin për Kosovën, jep një pasqyrë të gatishmërisë dhe progresit në përmbushjen e kriterit ekonomik”, theksoi ajo.

“Programi i reformave ekonomike është shumë proces i rëndësishëm për BE-në. Është boshti i qeverisjes ekonomike, si një prej tre shtyllave të strategjisë së zgjerimit”, tha Apostolova.

Ajo e ka rikujtuar Qeverinë e Kosovës se zbatimi i kritereve ekonomike është kërkesë kryesore për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Programi për reforma në ekonomi përfshinë dialogun e strukturuar mbi qeverisjen ekonomike, si pjesë e bashkëpunimit institucional në mes të Kosovës dhe Bashkimit Evropian.

Ministri i Financave në Qeverinë e Kosovës, Bedri Hamza, tha se edhe këtë vit, ky program u përmbahet plotësisht instruksioneve dhe kritereve për analizë rigoroze të përcaktuara nga Komisioni Evropian.