Krasniqi: Sovraniteti dhe integrieti territorial i Kosovës është i pacënueshëm

E publikuar: 17/09/2018 20:02
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Sot u mbajt takimi i përbashkët mes deputetëve të Parlamentit Evropian dhe deputetëve të Parlamentit të Kosovës.
Në këtë takim deputeti nga Partia Demokratike e Kosovës, Memli Krasniqi foli për dialogun në mes Kosovës dhe Serbisë. Ai thotë së në këtë proces duhet të kontribuojnë të gjitha partitë politike dhe deri më tani janë arritur shumë marrëveshje me ndërmjetësimin e BE-së.

‘’Çështja e Dialogut për Normalizimin e Marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, pa dyshim është tema më aktuale me të cilën spektri politik i Kosovës po ballafaqohet tani, por edhe në periudhën e ardhshme. Është përgjegjësi e të gjitha partive politike, para së gjithash atyre të përfaqësuara në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Kontributin për këtë proces e shohim si një obligim që e kemi të gjithë karshi vendit dhe qytetarëve tanë. Ka vite që Kosova ka dialoguar me Serbinë dhe deri tash ka numër të konsiderueshëm të marrëveshjeve që janë arritur, me ndërmjetësimin e BE-së. Shumë prej këtyre marrëveshjeve nuk zbatohen plotësisht e ka të tilla që nuk zbatohen fare. Megjithatë, nuk mund të mohohet fakti që Dialogu ka prodhuar edhe hapa përpara në konsolidmin e sovranitetit shtetëror te Kosovës, por edhe në procesin e integrimit tonë në familjen evropiane. Është e natyrshme dhe krejtësisht e mirëkuptueshme që të kemi dallime në vlerësimet tona për procesin e deritashëm, por edhe dallime në konceptet tona politike e qeverisëse’’, tha Krasniqi.

Tutje, deputeti theksoi se për ta mbyllur kapitullin e mosmarrëveshjes me Serbinë duhet të ketë njohje të ndërsjelltë, , anëtarësimi i Kosovës në OKB dhe përshpejtimi i proceseve integruese të vendit tonë në NATO dhe BE.

Këto pika, Krasniqi i cilëson si pika të përbashkëta. Krasniqi thotë se sovraniteti dhe integrieti territorial i Kosovës është i pacenueshëm, transmeton lajmi.net

‘’Megjithatë, mbyllja e një kapitulli të mosmarrëveshjeve me një shtet fqinj, përfundimi i konflikit të ngrirë që kemi me Serbinë, duhet të jetë pikë që na bashkon.

Para së gjithash, përcaktimi dhe arritja e qëllimeve konkrete nga përfundimi i Dialogut, siç është njohja e ndërsjellë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, anëtarësimi i Kosovës në OKB dhe përshpejtimi i proceseve integruese të vendit tonë në NATO dhe BE, duhet të jenë pika të konsensusit tonë të përbashkët. Por, duhet ta themi qartë se kjo fazë dallon nga fazat e mëhershme.

Kjo fazë do të duhet të përmbyllë Dialogun me Serbinë dhe të prodhojë një marrëveshje ndërkombëtare të obligueshme si për Kosovën, ashtu edhe për Serbinë. E njejtë edhe për BE-në që do të jetë jo vetem ndërmjetës, por bashkë edhe me SHBA-të, edhe garantues i zbatimit të kësaj marrëveshjeje. Se cila do të jetë marrëveshja, është një çështje që na takon të gjithëve këtu dhe për këtë ne shpresojmë se do të gjejmë pajtueshmëri të gjërë politike.

Sa i përket dialogut me Serbinë, qëndrimi i Partisë Demokratike të Kosovës është konsistent dhe i qartë: Ne jemi pro dialogut, si mënyra më e mirë për arritjen e qëllimeve tona si shtet, por në asnjë mënyrë nuk do të lejohet cenimi i sovranitetit dhe i shtetësisë së Kosovës, i integritetit territorial të shtetit tonë, i funksionimit unitar të shtetit dhe i Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Lidhur me këtë, ne kemi propozuar edhe një amendament për deklaratën finale të këtij takimi, që konfirmon se sovraniteti dhe integrieti territorial i Kosovës është i pacenueshëm. Po ashtu, dua të ritheksoj se çfarëdo Marrëveshje që mund të arrihet me Serbinë, nuk mund të jetë e vlefshme pa u ratifikuar me votat e dy të tretave të deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Unë mendoj se, më shumë se sa ndarja e vendit tonë, që nuk është temë që është ngritur ndonjëherë zyrtarisht, rreziku më i madh për shtetin tonë sot është krijimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe me kompetenca ekzekutive, që do të shënonte edhe një lloj Bosnjezimi të Kosovës. Andaj, për sa i përket Asociacionit, ne insisitojmë që kurdo që ai të formohet, të jetë vetëm në përputhje të plotë me rekomandimet e Gjykatës Kushtetuese, siç e kemi cekur bashkërisht edhe në draft-deklaratën finale të takimit të sotëm. Në fund, më lejoni po ashtu të theksoj se gjuha provokuese e Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, gjatë vizitës së tij në Kosovë, ku në mes tjerash ka lartësuar edhe figurën e Slobodan Millosheviqit është skajshmërisht ofenduese, e papranueshme dhe si e tillë duhet të dënohet fuqishëm. Një gjuhë e tillë dhe një qasje e tille jo që nuk i kontribuon dialogut dhe arritjes së një marrëveshjeje potenciale ndërmjet dy shtetev tona, por përkundrazi e bën edhe më të vështirë arritjen e saj.’’