Kosova e Serbia mund të mos flasin deri në pranverë

E publikuar: 25/11/2015 00:04
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Zëdhënësja e Komisionit Evropian Maja Kocijançiq ka thënë se ende nuk dihet data e takimit të ardhshëm ndërmjet Beogradit e Prishtinës.

“Nëse më pyetni për datën e takimit të ardhshëm në nivelin më të lartë, për të ende nuk kam paralajmërim”, ka thënë Kocijançiq duke u përgjigjur në pyetjen e B92 se kur mund të vazhdojnë bisedimet ndërmjet Beogradit e Prishtinës, transmeton Koha.net.

Mendohet se heshtja ndërmjet Prishtinës e Beogradit mund të zgjasë deri në pranverë.

Vlerësohet se vazhdimi i dialogut në kornizat e njëjta, nuk ka shumë gjasa për sukses e theksohet se vendimtar për vazhdimin e dialogut do të jetë vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës lidhur me formimin e Asociacionit të Komunave serbe.

“Ne po e shohim se ai (dialogu) është ndalur. Nuk është dhe lehtë. Nëse Gjykata Kushtetuese e Kosovës e shpall jo kushtetues formimin e AKS-së, atëherë duhet ndryshuar kornizën e bisedimeve”, thotë Naim Rashiti nga Grupi i Ballkanit për Politikë.