Koronavirusi në Itali: Kryeministri Conte do të merret në pyetje nga prokuroria

E publikuar: 11/06/2020 19:06
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ndërsa po i lë pas krahëve ditët e errëta të pandemisë së Covid-19,  Italia e zhvendos vëmendjen te menaxhimi i krizës. Kryeministri Giuseppe Conte, ministrja e Brendshme Luciana Lambrogese, dhe ministri i Shëndetësisë Roberto Speranza, do të merren në pyetje nga prokuroria e Bergamos, pasi  të afërm të viktimave të Covid-19 në qytetin e goditur rëndë, kanë kërkuar hetime lidhur me përgjegjësi të mundshme kriminale në menaxhimin e krizës.

Pretendimet lidhen me izolimin e vonuar të zonave të kuqe, veçanërisht ato të Alzanos dhe Nembros. E megjithatë, duket se kryeministri Conte nuk ka dyshime në reagimin e tij ndaj pandemisë, pasi një ditë para se të merret në pyetje tha se nuk ishte aspak i shqetësuar.

“Nuk ka të bëjë as me arrogancën e as me vetëkënaqësinë. Nuk dua të komentoj fjalët e prokurorëve, por do të takohemi të premten dhe do të paraqes të gjitha faktet në dispozicion”, tha Conte.

Siç bëri të ditur një përfaqësues ligjor, 40 padi ishin depozituar në prokurorinë e Bergamos lidhur me menaxhimin e krizës në Lombardi, rajoni verior ku përfshihet edhe Bergamo e ku janë shënuar gjysma e 34 mijë vdekjeve nga Covid-19 në Itali. Autoritetet rajonale përballen me zemërim në rritje për faktin se nuk u izoluan shpejt zonat e kuqe dhe se lanë të hapur një spital që u kthye në vatër të infektimeve./GazetaExpress/