Konjufca: Hashim Thaçi e fundosi Telekomin, këto janë tri pikat që do ta shpëtonin

E publikuar: 14/05/2019 12:39
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Shefi i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, ka fajësuar ish-qeverisjen Thaçi për shkatërrim të Telekomit teksa ka prezantuar tri pika për shpëtimin e Telekomit nga falimentimi.

“Telekomi është në shkatërrim. Protagonisti kryesor që ishte kryeministër ishte Hashim Thaçi, kur ishte ish shefi i Telekomit Shyqëri Haxha dhe partia e Kadri Veselit. Nga këta është instaluar një praktikë e punësimeve pa kriter. Telekomi ka shërbyer si parajsë e keqpërdorimeve. Pushtetarët kanë vendosur edhe në cilat oborre të vendosen antenat e Valës. Nga një kompani që i sillte Kosovës të hyra ajo është buzë falimentimit”, ka thënë Konjufca.

Sipas tij, kontrata e lidhur më 2009 mes Dardafonit dhe Telekomit i ka sjellë kompanisë private fitim 73 për qind dhe se “prokuroria pretendon se Telekomi është dëmtuar 200 milionë euro nga kjo kontratë e në çdo vend të botës një kontratë e tillë dënohet me burg”.

Sipas tij, tri pika që duhet zbatuar për shpëtim të Telekomit janë: Respektimi i rezolutës që është votuar në Kuvend vitin e shkuar, të mos njihet kurrfarë borxhi i Dardafonit dhe të mos vazhdohet kontrata me Z-Mobile.

Ai i ka bërë thirrje kryeministrit Haradinaj që nëse ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin, Lluka është i kapur nga pronarët e Dardafonit, Haradinaj e ka rastin të mos e vazhdojë kontratën për Telekomit nëse do të shpëtojë Telekomin duke treguar kështu që nuk është i kapur edhe ai.